BE-ja i bën thirrje Izraelit të pranojë marrëveshjen e armëpushimit me Hezbollahun

schedule14:34 - 26 Nëntor, 2024

schedule 14:34 - 26 Nëntor, 2024

Shefi i diplomacisë i Bashkimit Evropian, Josep Borrell, tha se “nuk ka asnjë justifikim” për Izraelin që të refuzojë zbatimin e një armëpushimi me Hezbollahun, grupin militant dhe partinë politike që kontrollon shumicën e jugut të Libanit.

Borrell tha se të gjitha shqetësimet e sigurisë të Izraelit janë adresuar në marrëveshjen e ndërmjetësuar nga Shtetet e Bashkuara dhe Franca.

Zyrtari i lartë evropian bëri thirrje për rritjen e presionit ndaj Izraelit për të mposhtur linjën ekstremiste brenda Qeverisë izraelite të cilët po refuzojnë që ta pranojnë marrëveshjen.

Duke folur në margjinat e takimit të Grupit të Shtatë shteteve më të industrializuara (G7) në Itali, Borrell paralajmëroi se nëse marrëveshja për armëpushim nuk zbatohet “Libani do të shpërbëhet”.

Zyrtarët izraelitë thanë se kabineti i sigurisë i kryeministrit Benjamin Netanyahu, do të mblidhet më 26 nëntor për të diskutuar për armëpushimin e propozuar. Në mesin e çështjeve që mbesin të pazgjidhura është një kërkesë e Izraelit për të rezervuar të drejtën për të vepruar nëse Hezbollahu shkel obligimet nga marrëveshja e re.