Ukraina, 1000 ditë luftë/ Mbi 6.4 milionë ukrainas jashtë vendit si refugjatë

schedule13:41 - 19 Nëntor, 2024

schedule 13:41 - 19 Nëntor, 2024

Kjo e martë shënoi 1000 ditë që prej nisjes së agresionit Rus ndaj Ukrainës në atë që është lufta më e keqe e ndodhur në Europë që prej luftës së dytë botërore. Mbi 6,4 milionë qytetarë Ukrainas jetojnë sot jashtë vendit të tyre si refugjatë ndërsa mijëra të tjerë përfshirë këtu civilë dhe Ushtarë kanë mbetur të vrarë si pasojë e luftimeve intensive.

Rreth 4 milionë të tjerë janë në zhvendosje të vazhdueshme për shkak të pasojave të këtij konflikti. Lufta ka tkurrur popullsinë Ukrainase me një të katërtën sipas një raporti të fundit nga Kombet e Bashkuara. Ky raport thekson gjithashtu se 40% e popullsisë Ukrainase jeton e varur nga ndihmat humanitare.

Deri më tani Ukraina ia ka dale të zbraps sulmet e Ushtrisë Ruse në Verilindje të territorit të saj, megjithatë Moska ka bërë vazhdimisht përparime të rëndësishme me 20% të terriotrit Ukrainas që është nën pushtimin e Kremlinit. Në këtë pushtim përfshihen rajonet e Luhanskut, Donjeckut, Zaporizhias dhe Hersonit si dhe gadishulli I Krimemese qe eshte aneksuar nga Moska qe prej vitit 2014.

Bashkimi Europian dhe të tjerë aleatë perëndimorë që nga fillimi i sulmit rus ndaj Ukrainës përpara 1000 ditësh i kanë vendosur sanksione ekonomike Rusisë, megjithatë pasojat nuk e kanë dhënë efektin e parashikuar. Pas një dobësimi të përkohshëm në vitin 2022 produkti bruto në vend i Federatës Ruse përmes riorientimit nga ekonomia e luftës dhe falë mbështetjes nga Pekini e mori veten shpejt. E njëjta gjë vlen edhe për kursin e këmbimit të rublës.

Kjo shpjegohet ndër të tjera me faktin, se bllokada ndaj importeve të energjisë me bazë fosile si gazi natyror, nafta dhe qymyri nga Rusia, nuk dha efektin e parashikuar për të pakësuar dukshëm të ardhurat e Moskës nga eksporti. Koncernet shtetërore gjetën tregje të tjera për shitjen e lëndëve të para si në Kinë dhe Indi. Po ashtu ka disa të dhëna, që pasuritë nëntokësore ruse pavarësisht embargos përfundojnë në vendet e BE-së – përmes rrugëve të tërthota nga vende të treta. Rritja e çmimit të gazit natyror nga Rusia, ka bërë që humbjet prej sanksioneve të mos jenë as të ndjeshme sa kishin shpresuar shtetet sanksionuese.

BE-ja dhe NATO mbështesin Ukrainën jo vetëm përmes sanksioneve ndaj Rusisë, por Kievi merr edhe ndihma financiare dhe humanitare. Kontributin më të madh e ka dhënë SHBA-ja.Që nga fillimi i luftës më 24 shkurt 2022 dhe fundi i gushtit 2024 SHBA kanë vënë në dispozicion gati 85 miliardë euro, sipas vlerësimeve të Institutit të Kielit për Ekonominë Botërore. Ndihmat e BE-së si dhe të vendeve anëtare brenda kësaj periudhe kohore kanë qenë mbi 100 miliardë euro. Po ashtu Mbretëria e Bashkuar dhe Kanadaja janë ndër vendet më të mëdha donatore.

Presidenti i ri i zgjedhur i SHBA-së, Donald Trump, në fushatën elektorale ka deklaruar, se do të pakësojë dukshëm ndihmat për Ukrainën. Ukraina mund ta ketë një shans për të luftuar kundër Rusisë vetëm nëse vendet e tjera donatore do t’i shtojnë ndihmat e tyre.