Shqiptari Vasjan Zisi është nominuar për çmimin “Best Contemporary Blues Album” në Grammy. Pjesëmarrja e të riut shqiptar është si tekstshkrues pasi ka shkruar disa nga këngët e albumit “The Fury”.
Në një intervistë për emisionin “Faqja 4” në ABC News, ai u shpreh i lumtur për nominimin. Ai e cilësoi si një arritje këtë nominim por shtoi se edhe nëse do të fitojë, do të ishte një privilegj i madh për të.
“Jam i lumtur që jam nominuar. Në dhjetor hapet votimi i raundit të fundit, që votojnë të gjithë anëtarët e Grammy-t. Megjithatë jam i kënaqur që jam i nominuar, se të fitosh është privilegj më i madh.”, tha Vasjani.
Ai tregoi gjithashtu vështirësitë që hasi në fillimet e tij në SHBA, dhe se si arriti që të kishte kontakte me emra të njohur të muzikës si Gucci Mane, Sean Paul etj. Ai tha se prej 4 vitesh organizon evente në Boston.
“Erdha në Amerikë në vitin 2018 pasi kisha mbaruar gjimnazin. Ishte pak e vështirë për shkak edhe të gjuhës, por edhe familjarët që ishin këtej nuk kishin lidhje me muzikën. Kur isha në Shqipëri kisha pak lidhje me eventet, kam organizuar edhe në gjimnaz me mësuesit e shkollës. Kisha pak ndjekës në Instagram që më ndihmuan të prezantohesha në mënyrë më të mirë te personazhet në radio. Kështu e kam nisur. Kam mbajtur evente që të më shikonin se kush isha. Pasi bëra një vit e gjysmë, kur e kuptova se kisha mjaftueshëm njerëz që mund të më suportonin, fillova që të bëja eventet e mia.”, tha ai./abcnews.al