Ish zëvendës ministri i Punëve të Jashtme, Etjen Xhafaj deklaroi në emisionin “Real Story” se presidenti i zgjedhur Donald Trump mund t’i rikthehet propozimit për shkëmbim territoresh mes Kosovës dhe Serbisë, duke marrë parasysh planet që ai ka paraqitur për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.
Ai tha se Kosova mund të jetë një ‘precedent’ për atë që mund të ndodhë me Krimenë në Ukrainë.
“Sa i përket rajonit, mendoj se do të jetë domethënëse ajo që do të deklarohet deri në janar sa të marrë presidencën. Ajo që kemi parë është që deklaratat e ndryshme të personave afër, kanë folur për koncesione nga ana e Ukrainës dhe nëse kjo do të jetë fati edhe këto dy muaj që mbeten, atëherë rajoni duhet të përgatitet, veçanërisht Kosova, që propozimi për shkëmbim territoresh do të kthehet automatikisht në tryezë, ose për të bërë një precedent për atë që pritet të ndodhë me Krimenë dhe zgjidhur njëherë e mirë, ndryshimi i status quo-së.
Ajo që kemi parë deri tani në Ukrainë ka qenë heqja nga arsenali i mbrojtjes së fuqive të mëdha të gjërave që kanë qenë të vjetra, edhe në Rusi deri diku. Tani, po arrihet në një moment, që nëse do të vijojë kjo përballje do të duhet që të nxirren ato armë që asnjëri krah nuk do t’ia tregojë krahut tjetër. Dhe ose do të kemi një përballje e Perëndimit, Nato-s me Rusinë nëpërmjet proxy-ve në Ukrainë ose do të kemi një shtysë drejt paqes dhe më tepër dhimbje për Ukrainën. Mendoj se Trump anon nga kjo dhe besoj se dhe për rajonin do të shikojmë ndryshime duke filluar nga ish liderët që janë në Hagë sot.“, u shpreh Xhafaj./abcnews.al

