Kryeministri spanjoll, Pedro Sanchez, ka njoftuar të hënën për 3.76 miliardë euro në masa shtesë për të rindërtuar zonën e Valencias pas përmbytjeve më vdekjeprurëse në historinë moderne të Spanjës.
Më shumë se 220 njerëz vdiqën pas shirave të rrëmbyeshëm të 29 tetorit që shkaktuan përmbytjet që përfshinë periferitë në jug të kryeqytetit rajonal Valencia, raporton Reuters.
Masat janë në kuadër të ndihmës prej 10.6 miliardë eurosh të shpallura javën e kaluar.
“Ka ende rrugë për t’u pastruar, ka garazhe për t’u kulluar, ka shumë infrastruktura për t’u riparuar dhe, mbi të gjitha, shumë jetë, shumë shtëpi dhe shumë biznese për t’u rikthyer në normalitet”, ka thënë ai.