OKB: Rreth 70 % e viktimave nga lufta në Gaza janë gra dhe fëmijë

schedule08:47 - 9 Nëntor, 2024

schedule 08:47 - 9 Nëntor, 2024

Zyra e OKB-së për të Drejtat e Njeriut dënon numrin e lartë të civilëve të vrarë në luftën në Gaza, duke thënë se rreth 70 përqind e viktimave gjatë një periudhe gjashtëmujore ishin gra dhe fëmijë.

Agjencia tha se verifikoi detajet e 8,119 personave të vrarë në Gaza nga nëntori 2023 deri në prill 2024, ku rezultoi se 40 përqind e viktimave ishin fëmijë dhe 26 përqind gra. Fëmijët i përkisnin moshave nga 5-9 vjeç. Sipas agjencisë, rreth 80 % e viktimave u vranë në ndërtesa banimi ose të ngjashme.

Sipas OKB-së, numri i lartë ishte kryesisht për shkak të përdorimit të armëve nga Izraeli në zona me popullsi të dendur, megjithëse disa vdekje mund të kenë qenë rezultat i predhave të gabuara nga grupet e armatosura palestineze. Në raport, thuhet se u gjetën nivele “të pashembullta” të shkeljeve të ligjit ndërkombëtar, duke ngritur shqetësime rreth “krimeve të luftës dhe krimeve të tjera të mundshme mizorie”.

“Ky nivel i paprecedentë i vrasjeve dhe plagosjeve të civilëve është pasojë e drejtpërdrejtë e dështimit për të respektuar parimet themelore të së drejtës ndërkombëtare humanitare”, u shpreh shefi i agjencisë për të Drejtat e Njeriut Volker Türk.

Izraeli në të kaluarën ka thënë se synon Hamasin dhe ndërmerr hapa për të zbutur rrezikun ndaj civilëve duke përdorur municione të sakta./abcnews.al