Evropa e shqetësuar për lidhjet transatlantike pas fitores së zotit Trump

schedule17:55 - 7 Nëntor, 2024

schedule 17:55 - 7 Nëntor, 2024

Aleatët e Amerikës në Evropë e uruan zotin Trump për fitoren në zgjedhjet presidenciale, pavarësisht shqetësimeve mbi ndikimin që mandati i tij i dytë mund të ketë në marrëdhëniet transatlantike. Analistët thonë se aleatët evropianë po përgatiten për një periudhë të paqëndrueshme dhe kjo mund t’i japë një shtytje të re thirrjeve të Francës për një Evropë më të bashkuar, më të fortë dhe më sovrane.

Donald Trump bëri një rikthim historik në zgjedhjet presidenciale të së martës në Shtetet e Bashkuara.

“Amerika na ka dhënë një mandat të pashembullt dhe të fuqishëm”, tha ai.

Aleatët e Shteteve të Bashkuara në Evropë po përpiqen të kuptojnë se çfarë do të bëjë presidenti i ardhshëm gjatë mandatit të ri.

Kryeministri britanik Keir Starmer pati një fillim të vështirë pasi ekipi i fushatës së zotit Trump kritikoi zyrtarët e Partisë së tij Laburiste për mbështetje të demokrates Kamala Harris në fushatë. Kryeministri Starmer e uroi menjëherë zotin Trump për fitoren.

“Ne jetojmë ndoshta në një botë më të paqëndrueshme se në shumë dekada. Është absolutisht thelbësore që ne të kemi një marrëdhënie të fortë dhe të veçantë”, tha ai.

Kancelari gjerman Olaf Scholz tha se gjërat do të jenë më ndryshe me zotin Trump në Shtëpinë e Bardhë, por u zotua të “mbetej një partner i besueshëm transatlantik”.

“Kjo vlen edhe për kërcënimin që të gjithë aleatët e NATO-s besojnë se Rusia paraqet për sigurinë në zonën euro-atlantike”, tha ai.

Zoti Trump e ka kritikuar mbështetjen amerikane për Ukrainën në luftën e saj kundër Rusisë dhe ekziston frika se ai mund t’i japë fund ndihmës ushtarake dhe financiare për Kievin.

Në mandatin e tij të parë, Donald Trumpi kërcënoi se do të tërhiqte Shtetet e Bashkuara nga NATO, duke pretenduar se aleatët po shfrytëzonin Amerikën për përfitimet e veta.

Por përmes një deklarate të mërkurën, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, tha se zoti Trump “ka ndihmuar në rritjen e shpenzimeve në fushën e mbrojtjes nga vendet evropiane, ka përmirësuar ndarjen në mënyrë më të barabartë të përgjegjësive transatlantike dhe ka forcuar aftësitë e Aleancës”.

Ndërkohë, kryeministri hungarez Viktor Orban nuk e fshehu preferencën e tij për zotin Trump. Pas fitores së tij ai tha “Për botën, kjo do të thotë shpresë për paqe.”

Presidenti francez Emmanuel Macron dhe republikani Donald Trump kanë patur një marrëdhënie të paqëndrueshme, por zoti Macron tha të mërkurën se ai ishte gati të punonte me zotin Trump “me respekt dhe ambicie. Për më shumë paqe dhe begati.”

Në realitet, aleatët evropianë po përgatiten për një periudhë të paqëndrueshme, thotë analisti i politikës së jashtme Garret Martin nga Universiteti Amerikan.

“Katër vitet kur Trumpi ishte në detyrë ishin mjaft të trazuara. Kishte momente përplasjesh, mungesë uniteti dhe kohezioni. Kjo ndodhi në një kohë që ishte më pak e rrezikshme sesa tani. Tani jemi në mes të një lufte të madhe në Evropë, që filloi dy vjet e gjysmë më parë”, thotë ai.

Presidenti Macron për shumë vite ka bërë thirrje për një Evropë më të bashkuar, më të fortë dhe më sovrane. Analistët thonë se fitorja e zotit Trump mund t’i japë një shtytje të re thirrjeve të tij.

“Është vërtet koha që ne, jo vetëm francezët, të zgjohemi dhe të bëjmë diçka. Sepse nëse nuk kemi kapacitetin ushtarak për t’u angazhuar në Ukrainë dhe Lindjen e Mesme, atëherë ne do të jemi të varur nga ajo që do të bëjë Uashingtoni”, thotë analisti francez Jean-Yves Camus nga Fondacioni Jean-Jaures.

Në Francë shqetësim kanë shprehur edhe drejtuesit e bizneseve mbi ndikimin që kërcënimet e zotit Trump për vendosje të tarifave mund të kenë në ekonominë e vendit. Kritikët gjithashtu druhen se fitorja e zotit Trump dhe mënyra se si ai do të qeverisë Shtetet e Bashkuara mund të kenë ndikim në zgjedhjet e vitit 2027 në Francë, duke forcuar pozitat e partive të ekstremit të djathtë.

Ndërkohë, samiti mbi ndryshimet klimatike i javës së ardhshme në Azerbajxhan ka të ngjarë të ndikohet nga fitorja e zotit Trump.

Ish-presidenti amerikan u tërhoq nga Marrëveshja e Parisit për Klimën në vitin 2017, duke pretenduar se ajo ishte e padrejtë ndaj Shteteve të Bashkuara.

Pasardhësi i tij, Joe Biden, e riktheu Amerikën në këtë marrëveshje në ditën e tij të parë në detyrë.

Por ekziston frika se zoti Trump mund tërhiqet sërish nga marrëveshja, edhe pse shkencëtarët po paralajmërojnë për ngrohje globale në nivele katastrofike nëse nuk ndërmerren veprime të menjëhershme./VOA

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!