Moldavët po votojnë të dielën në raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale mes presidentes pro-perëndimore në detyrë Maia Sandu dhe rivalit të saj miqësor ndaj Rusisë, ndërsa pretendimet e vazhdueshme për mashtrim dhe frikësim të votuesve kërcënojnë demokracinë në vendin kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Në raundin e parë të mbajtur më 20 tetor, zonja Sandu mori 42 për qind të votave dhe po përballet me Alexandr Stoianoglon, një ish-prokuror i përgjithshëm, i cili fitoi 26 për qind të votave.
Qendrat e votimit u hapën të dielën në orën 7 të mëngjesit sipas orës lokale dhe do të mbyllen në orën 21:00. Sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, deri në mesditë gati 700,000 veta, rreth 24 për qind e zgjedhësve me të drejtë vote, dolën në votime.
Një anketë e publikuar nga kompania kërkimore iData, flet për një garë të ngushtë duke i dhënë një përparësi të lehtë zonjës Sandu, një rezultat që mund të mbështetet në diasporën e madhe të Moldavisë. Posti presidencial ka kompetenca të rëndësishme në fusha të tilla si politika e jashtme dhe siguria kombëtare dhe ka një mandat katërvjeçar.
Diaspora moldave luajti një rol thelbësor në një referendum mbarëkombëtar të mbajtur gjithashtu më 20 tetor, kur një shumicë e ngushtë prej 50.35 për qind votuan për të siguruar rrugën e Moldavisë drejt anëtarësimit në BE. Por, rezultatet u lanë nën hije për shkak të pretendimeve për një skemë të madhe blerjeje votash dhe frikësim të votuesve.
Në vend të një fitoreje me shumicë që zonja Sandu kishte shpresuar, rezultatet në të dyja garat shpërfaqën gjyqësorin e Moldavisë si të paaftë për të mbrojtur në mënyrën e duhur procesin demokratik.
Të premten, kryeministri i Moldavisë Dorin Recean, tha se votuesit në të gjithë vendin po merrnin “kërcënime anonime me vdekje nëpërmjet telefonatave”, në atë që ai e quajti “një sulm të skajshëm ” për të trembur votuesit në ish-republikën sovjetike, e cila ka një popullsi prej rreth 2.5 milionë banorësh.
“Këto akte frikësimi kanë vetëm një qëllim: të krijojnë panik dhe frikë”, tha Recean në një deklaratë të postuar në mediat sociale. “Ju siguroj se institucionet shtetërore do të garantojnë rendin dhe mbrojtjen e qytetarëve”, tha ai.
Në prag të votimeve të muajit të kaluar, autoritetet thanë se një skemë e blerjes së votave ishte orkestruar nga Ilan Shor, një oligark që jeton në mërgim në Rusi, i cili është dënuar në mungesë vitin e kaluar për mashtrim dhe pastrim parash. Ilhan Shor mohon çdo keqbërje.
Një qeveri properëndimore është qenë në pushtet në Moldavi që nga viti 2021 dhe zgjedhjet parlamentare do të mbahen në vitin 2025. Vëzhguesit paralajmërojnë se votimet e vitit të ardhshëm mund të jenë objektivi kryesor i Moskës.
Në dritën e agresionit rus në Ukrainë në vitin 2022, Moldavia aplikoi për t’u anëtarësuar në BE. Asaj iu dha statusi i vendit kandidat në qershor të atij viti, dhe në verën e vitit 2024, Brukseli ra dakord të fillonte negociatat e anëtarësimit. Zhvendosja e mprehtë drejt Perëndimit acaroi Moskën dhe përkeqësoi ndjeshëm marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve.
Që atëherë, autoritetet moldave kanë akuzuar vazhdimisht Rusinë për një “luftë hibride” në shkallë të gjerë me fushatat e përhapura të dezinformimit dhe protestat e partive pro-ruse, e deri te skemat e blerjes së votave që dëmtojnë zgjedhjet në mbarë vendin. Rusia ka mohuar se akuzat për ndërhyrje./VOA