“Program konference apo punë budallenjsh”, Luan Rama ironizon Cakajn

schedule20:10 - 24 Nëntor, 2019

schedule 20:10 - 24 Nëntor, 2019

Zëvendës kryetari i LSI-së, Luan Rama në rrjetin social “Facebook” ka publikuar programin e konferencës mbarëkombëtare të Ministrisë së Jashtme, që pritet të mbahet nesër. Rama e quan konferencën “recital i Cakajt” për shkak se folës pritet te jetë ministri në detyrë për Punët e Jashtme, Gent Cakaj.

 

Postimi i Luan Ramës:

Program konference apo

pune budallenjsh?!…

Për të thonē se është një djalë shumë i zgjuar. Shumë i zgjuar dhe shumë i zoti. Shumë i zoti dhe shumë i talentuar. Shumë i talentuar dhe shumë punëtor.

Madje, të njejtët thonë se është edhe shumë gjeni!

Ndaj, askush nuk ka se përse të mos besojë.

Vetë kryeministri e ka prezantuar si të tillë; pra si shumë të zgjuar, shumë të zotin, shumë të talentuar, shumë punëtor dhe shumë gjeni.

E për të gjitha këto, edhe e ka emëruar ministër mëkëmbës në këmbë të tij, zëvendësministrin ministër të padekretuar! Mirëpo, seç kanë dalë disa budallenjë, që me punë që mund ta bëjnë vetëm budallenjtë, duan të na e paraqesin edhe atë si veten e tyre.

Dhe kanë paralajmëruar një konferencë, që me gjasë do të mblidhet nesër, në programin e të cilës kanë parashikuar të flasë vetëm ai, herë si ShTZ ( pra shkëlqesia e tij zoti Gent Cakaj), e herë si zoti Gent Cakaj! Të presim e të shohim se çfarë do të ndodhë nesër në konferencën mbarëkombëtare, që sipas programit të bërë nga Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme, pritet të jetë recital i ministrit mëkëmbës Gent Cakaj.

Por ai nuk është budalla! Ndaj, me siguri që nuk do të flasë vetëm ai, siç komentojnë budallenjtë që e duan si veten. “Budallai gjithnjë gjen një budalla më të madh se veten, që të habitet me të”, -ka thënë poeti dhe kritiku francez, Nikola Bualo./abcnews.al

Fotografia e Luan Rama

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!