Ishin fitore të rëndësishme, sidomos për skuadrën e Ylber Ramadanit.
Leçe dhe Bologna kanë arritur të rëndësishme mbrëmjen e kësaj të marte, në sfidat e vlefshme për javën e 10-të të kampionatit italian të futbollit, Serie A, me “Verdhekuqtë” e mesfushorit “kuqezi” që fituan 1-0 ndaj Verona, ndërsa “Emiljanët” mundën 2-0 skuadrën e Cagliari në transfertë.
Kështu, në stadiumin “Via del Mare”, të Leçes, vendasit u mjaftuan me golin e Patrick Dorgu, për të siguruar tre pikë tejet jetike, ndaj skuadrës së Verona, ku padyshim një ndikim të madh pati edhe dalja me kartonin e kuq të Tchatchoua dhe Belahyane.
Në krahun tjetër, “Emiljanët” e Bologna shënuan dy herë në portën e Cagliari, në arenën “Unipol Domus”, me “fantazistin” Riccardo Orsolini, i cili dërgoi topin në rrjetë në minutën e 35’-të, ndërsa “ylli” danez Jens Odgaard vulosi fitoren e madhe në minutën e 51’-të, pas një asistimi fantastik të Lucumi.
Falë këtyre rezultateve, Bologna është ngjitur në vendin e 10-të, me 12 pikë, Verona dhe Cagliari mbeten të pozicionuara në vendet 14 e 15, me nga 9 pikë, ndërsa Lecce është ngjitur në vendin e 18-të me 8 pikë. /i.m /abcnews.al