Gjobitet me 310 milionë euro platforma “LinkedIn”

schedule08:45 - 28 Tetor, 2024

schedule 08:45 - 28 Tetor, 2024

Platforma LinkedIn duhet të paguajë një gjobë të madhe në Bashkimin Evropian. Rregullatori irlandez i mbrojtjes së të dhënave gjobiti platformën e biznesit LinkedIn me 310 milionë euro për përpunimin e paligjshëm të të dhënave personale të përdoruesve në Bashkimin Evropian, të cilat i përdori për reklama të synuara.

Rregullatori po kërkon gjithashtu nga LinkedIn, një kompani në pronësi të Microsoft, të sjellë përpunimin e të dhënave të saj në përputhje me Rregulloren e Përgjithshme të Mbrojtjes së të Dhënave të Bashkimit Evropian (GDPR).
Zëvendës komisioneri i rregullatorit irlandez, Graham Doyle, tha në një deklaratë se përpunimi i të dhënave personale pa bazën e duhur ligjore, përfaqëson një shkelje të qartë dhe serioze të së drejtës themelore të subjektit për mbrojtjen e të dhënave.

LinkedIn, si shumë kompani të tjera të mëdha të teknologjisë, ka selinë e tij evropiane në Irlandë, që do të thotë se rregullatorët lokalë kanë për detyrë të zbatojnë rregullat e BE-së.