Rusia u dha të dhëna rebelëve Houthi të Jemenit për t’i ndihmuar të sulmonin anijet perëndimore në Detin e Kuq, raporton Wall Street Journal. Sipas gazetës amerikane, Houthi-t përdorën të dhënat nga satelitët rusë të transmetuar atyre nga përfaqësuesit iranianë për të shënjestruar anijet me dronë dhe raketa.
Rebelët Houthi, të cilët kontrollojnë pjesën më të madhe të Jemenit verior, kanë kryer sulme që nga nëntori 2023 kundër Izraelit dhe kundër anijeve që ata thonë se janë të lidhura me të ose aleatët e tyre, duke thënë se po veprojnë në solidaritet me lëvizjen islamike palestineze Hamas, e përfshirë në luftë me forcat e armatosura izraelite në Rripin e Gazës që nga 7 tetori 2023.
Sulmet e tyre kanë shkaktuar një problem të madh në lëvizjen e anijeve në këtë zonë me rëndësi vendimtare për tregtinë globale dhe kanë çuar SHBA-të në formimin e një koalicioni detar ndërkombëtar.
Gazeta amerikane thotë se informacioni i saj për ndihmën ruse vjen nga një person i njohur me këtë çështje dhe dy zyrtarë evropianë të mbrojtjes./abcnews.al