Ndihmëssekretari amerikan i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, James O’Brien, tha për transmetuesin publik serb se kërkon që të gjitha marrëveshjet e arritura në dialogun për normalizim të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë të respektohen.
Në intervistën për RTS-në, O’Brien tha se sa i përket themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe është e rëndësishme që të respektohen marrëveshjet. Në këtë drejtim, ai tha se duhet që në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës të kalojë një draft-statut për Asociacionin.
Zyrtari i lartë amerikan tha po ashtu se duhet të ketë një diskutim më të gjerë lidhur me integrimin e serbëve që jetojnë në Kosovë.
“Asociacioni është një hap i rëndësishëm. Është e rëndësishme të shënohet përparim edhe para formimit të Asociacionit. Është e rëndësishme që njerëzit të jetojnë normalisht, të regjistrohen martesat, fëmijët që lindin dhe në të gjitha këto të punojmë njëkohësisht. Obligimet ekzistojnë që nga viti 2015, kur u nënshkrua [marrëveshja për Asociacionin]. Nuk mund t’iu ofroj një afat kohor, por më e rëndësishmja është që serbët të jetojnë sikurse qytetarët evropianë”, tha O’Brien.