Euro dobësohet përballë dollarit/ Bie me 3 për qind para vendimit të Bankës Qendrore Europiane për normën e interesit

schedule14:34 - 17 Tetor, 2024

schedule 14:34 - 17 Tetor, 2024

Euro filloi trendin rënës ndaj dollarit amerikan para vendimit të Bankës Qendrore Europiane që do të shpallet të enjten.

Kursi euro dollar ra me 3%, pasi monedha europiane arriti nivelin më të lartë në 15 muaj pak kohë më parë. Investitorët parashikojnë që Banka Qendrore Europiane të ulë normën e interesit me 0.25%.

Lëvizja e kundërt nga ana e bankës mund të shkaktojë një rikthim të euros dhe të rrisë yeldet e obligacioneve qeveritare të eurozonës. Vlera e monedhës europiane ndikohet nga një kombinim faktorësh të diktuar nga tregu.

Elementët kryesorë përfshijnë pikërisht normat e interesit, inflacionin, ecurinë e ekonomisë si dhe stabilitetin politik dhe ekonomik. Dhe për ekonomistët, të gjithë këto faktorë duket se po ndikojnë ecurinë e euros që po nënçmohet së fundmi. Por, presion mbi monedhën europiane po ushtron forcimi I dollarit amerikan pas ecurisë më të mirë të ekonomisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Optimizmi për një lehtësim të politikës monetare vjen pasi inflacioni në eurozonë zbriti në 1.8% në shtator, poshtë objektivit të bankës prej 2%.

Megjithatë, politik bërësit e eurozonës janë të shqetësuar për vijueshmërinë e tij pasi sipas tyre çmimet e shërbimeve mund të shtyjnë inflacionin sërish në trend rritës.

Shefja e Bankës Europiane Christine Lagarde deklaroi më herët se ky institucion do të vazhdojë të ndjekë një qasje në përputhje me të dhënat e ekonomisë. Sipas saj, normat e politikës monetare do të mbeten kufizuese për aq kohë sat ë jetë e nevojshme për të kthyer tërësisht inflacionin në objektivin e parashikuar.

/abcnews.al/