Në emisionin “360 gradë” në ABC News u diskutua për alarmin e ngritur nga kryeministri i Kosovës Albin Kurti se Serbia ka provokuar sërish duke afruar ushtrinë rreth 50 metra afër vijës kufitare.
Kapiteni Dritan Goxhaj e cilësoi këtë alarm si një mënyrë e Kurtit për ta përdorur për çështje elektorale. Nga ana tjetër, eksperti i gjeopolitikës, Agim Krasniqi shprehet se është taktikë e Serbisë që “Kosova të reagojë në ndonjë formë dhe të krijojë një disavantazh në kuptimin diplomatik”.
Ndërkohë, kapiteni Artur Meçollari e lidh me këtë me 10 vjetorin e procesit të Berlinit. Sipas tij, Kurti e përdori këtë situatë në mënyrë që Vuçiç të shkojë në Berlin si “shkelës i marrëveshjes ndërkombëtare”.
Pjesë nga diskutimi:
Dritan Goxhaj: E para, është vetëm një skuadër e ushtrisë serbe, pjesë e asaj ushtrie për ruajtjen e kufirit midis Kosovës dhe Serbisë. Nuk kemi ndonjë ardhje të një force ekstra dhe afrimi i kësaj force nuk përbën asnjë gjë të veçantë, nuk përbën asnjë lloj kërcënimi për Kosovën duke parasysh parasysh që është afruar në zonën që kontrollet totalisht nga SHBA. Nuk i besoj as Vuçiç dhe as Kurtit në këtë rast, thjesht shikoj sasinë e forcave që janë prezente. Në momentin që KFOR nuk është shqetësuar për prezencën e këtyre forcave, atëherë nuk përbën problem. Prandaj them që është thjesht një fushatë elektorale.
Agim Krasniqi: Ne po i referohemi deklaratave të zotit Kurti se forcat e ushtrisë serbe janë afruar në kufirin me Kosovën në një afërsi 50-100 metra, dhe sipas këtyre informacioneve, situate mes Kosovës dhe Serbisë ka arritur në një pikë tensioni si rezultat i lëvizjeve të trupave serbe afër kufirit. Këto veprime janë një përpjekje e Serbisë për të rritur tensionet në rajon, sidomos në raport me Kosovën dhe ndoshta në një mënyrë për ta destabilizuar situatën e brishtë, duke pasur parasysh që këto veprime të shtetit serb janë të vazhdueshme dhe përdoren për të ngritur vëmendjen e opinionit ndërkombëtar, për të nxitur që Kosova të reagojë në ndonjë formë dhe të krijojë në disavantazh në kuptimin diplomatik. Kjo deklaratë s’mund t’i sjellë favore në kuptimin elektoral Kurtit sepse ka të bëjë me sigurinë e shtetit të Kosovës. Nëse do të kishte ndonjë veprim të qeverisë brenda territorit të Kosovës, atëherë mund të konsiderohet si një përpjekje për avantazhe elektorale por sipas mendimit tim, këto lëvizje ushtarake pranë kufirit mund të jenë një pjesë e një strategjie më të gjerë, me synime politike të brendshme të vetë Serbisë.
Ermir Gjinishi: Nuk besoj se për nga numri i trupave dhe mënyra se si janë shfaqur duken të qetë. Sigurisht që afrimi, përsa kohë që kemi një konflikt të hapur Kosovë-Serbi, gjithmonë lëvizje të tilla do të konsiderohen si mundësi konflikti por jo cdo lëvizje është konflikt. Më shumë janë provokime, është për politikë të brendshme të të dyja palëve. Më shumë për Serbinë sepse nga andej ndodhin për hir të së vërtetës por në këtë rast edhe zotit Kurti i shërbeu pozitivisht kjo, sepse pas skandaleve lidhur me furnizimin e focave të Kosovës, dukej diçka më ndryshe. Nuk mendoj se kemi rrezik por konflikti është i hapur. Të dyja palët, çdo gjë që ndodh në kufi e shfrytëzojnë më tepër për politikë te brendshme sesa për të zgjidhur çështjen.
Artur Meçollari: Para disa ditësh, ka qenë në Prishtinë komandanti i Komandës së Bashkuar të NATO-s në Napoli, epror direkt i komandës së KFOR dhe në deklaratën e tij, ka thënë që ekziston mundësia e kryerjes së një vepre tjetër terroriste si ajo e Banjskës. Në një farë mënyre, ka pranuar se ka tentativë për të destabilizuar Kosovën. Gjithsesi, prezenca e forcave serbe në afërsi të kufirit, duke shkelur 5 km, në këtë një vit, kemi deklarata të DASH për largimin e 46 pikave. Kjo nuk është një gjë e re, pse Kurti e bëri tani? Në gjykimin tim, nuk ka lidhje me çështje të brendshme por me 10 vjetorin e procesit të Berlinit. Vucic duhet të shkonte në Berlin si shkelës i marrëveshjes ndërkombëtare./abcnews.al