Më fillim Rodri, më pas Ter Stegen, Dani Carvajal dhe Bremen, sa për të përmenduar disa prej emrave më të njohur që luajnë në skuadrat më të mëdha të Europës. Por ka edhe shumë lojtarë të tjerë që janë dëmtuar në të njëjtën mënyrë dhe kanë mbyllur sezonin.
Të gjithë këta futbollistë kanë këputur ligamentin e kryqëzuar të gjurit, një lëndim që kërkon të paktën 7 muaj për t’u rikuperuar, por rikthimi në fushë vonohet edhe më shumë.
Kjo “pandemi” dëmtimesh ka shqetësuar opinionin sportiv, që po mundohet të gjejë përgjigje.
Disa prej tyre jepen nga “La Gazzetta Dello Sport” që ka përfshirë në hulumtimin e saj disa prej emrave më të njohur të mjekësisë sportive.
Në vija të trasha, tre janë shkaqet më domethënëse që nënvizohen thuajse nga të gjithë mjekëve të fushës.
Si fillim kalendari i ngjeshur, që ka rritur ndjeshëm numrin e ndeshjeve, aq sa një futbollist që luan me skuadra të mëdha klubi dhe kombëtare, që I shkojnë deri në fund turneve, luan mbi 73 ndeshje në vit. Hapësira e ngushtë kohore nga njëra sfidë në tjetrën nuk I lejon lojtarëve të rikuperojnë plotësisht muskujt e tyre.
Kjo lidhet edhe me arsyen tjetër. Dëmtimet e këtij lloji janë shënuar në periudhën shtator-tetor, pra kur sapo kanë nisur sezonet dhe futbollistët nuk kanë marrë ngarkesën e duhur stërvitore.
Si shkakun e tretë më të rëndësishëm që sjell dëmtimet e rënda të futbollistët, mjekët rendisin ndryshimin që ka pësuar ky sport në vitet e fundit. Sipas tyre, futbolli është bërë më I shpejtë dhe më intensive, duke shtuar ndjeshëm sforcimin dhe stresin te muskujt, ligamentet dhe në të gjithë trupin e lojtarëve. Kjo konfirmohet edhe nga fakti, që në dekadën e fundit vetëm 12% e dëmtimeve në ligamentet kryq të gjurit të futbollistëve kanë ardhur nga goditjet e kundërshtarëve.
Ky është një tjetër alarm, që prej kohësh është ngritur nga vetë futbollistët dhe trajnerët në lidhje me kalendarin futbollistik, që sipas tyre po bëhet i papërballueshëm.