Shtetet që do të përcaktojnë fituesin e garës për Shtëpinë e Bardhë

schedule10:01 - 10 Tetor, 2024

schedule 10:01 - 10 Tetor, 2024

Shtetet kyçe janë vendimtare për të fituar Shtëpinë e Bardhë më 2024.

Në shtetet fushëbetejë zhvillohet një fushatë e ashpër dhe e kushtueshme politike, sepse votuesit në to kanë ndikim të rëndësishëm në zgjedhje.

Ja si funksionon gara në to:

Shumica e shteteve kanë prirje republikane ose demokrate dhe fituesi në to dihet. Por në shtetet e pavendosura rezultati është i paparashikueshëm.

Një kandidati i duhen 270 nga 538 votat e kolegjit elektoral për të fituar. Zakonisht pas fitores në një shtet, kandidati merr të gjitha votat elektorale të atij shteti. Shtetet e lëkundura kanë votat vendimtare, që përcaktojnë fituesin e garës presidenciale.

Këtë vit, Arizona, Xhorxhia, Miçigani, Nevada, Karolina e Veriut, Pensilvania dhe Vinsonsini mbajnë çelësat e Shtëpisë së Bardhë. Së bashku ato kanë 93 vota të kolegjit elektoral.

Diferenca në këto shtete është shumë e ngushtë mes votuesve republikanë dhe demokratë.

Ndryshimet demografike dhe dallimet mes zonave urbane dhe rurale i bëjnë rezultatet e paparashikueshme.

Edhe ndryshime të vogla mund të ndikojnë në rezultatin e zgjedhjeve, duke i dhënë Kamala Harrisit ose Donald Trumpit avantazhin e kolegjit elektoral.

Më 2016, republikani Trump fitoi Pensilvaninë me një diferencë prej 0.7 për qind, duke siguruar 20 votat elektorale të këtij shteti dhe presidencën. Katër vjet më vonë, demokrati Biden fitoi në Pensilvani me një diferencë 1.2 për qind, duke fituar edhe Shtëpinë e Bardhë.

Në të njëjtin vit, Bideni fitoi me një shumicë të ngushtë prej 12 mijë votash në Xhorxhia, duke e kthyer shtetin nga e kuqja në blu, për herë të parë në pothuajse tre dekada.

Shtetet e pavendosura janë të paparashikueshme, por një gjë është e sigurt: ato kanë ndikim të madh në zgjedhjet e vitit 2024. Në këto shtete, çdo votë ka rëndësi./VOA