Ndërhyrjet e BSH në tregun valutor/ Tanku: Për të shmangur “ngrirjen” e tregut. Rrushi: Ndërhyrja, e domosdoshme kur…

schedule20:45 - 4 Tetor, 2024

schedule 20:45 - 4 Tetor, 2024

Drejtori i Departamentit të Kërkimeve në Bankën e Shqipërisë, Altin Tanku thotë se ndërhyrjet e bankës në tregun valutor janë të nevojshme për të siguruar stabilitetin ekonomik dhe për të shmangur “ngrirjen” e transaksioneve. Në emisionin “Sheshi i Dollarit” të gazetarit Bardhi Sejdarasi, ku po flitet për këtë çështje, ai tha se:

“Në këndvështrimin teorik por ka një përgjigje të saktë në praktikë në rastin e ekonomisë shqiptare. Ekonomia jonë ka karakteristika thelbësore të një ekonomie që duhet të ketë një kurs këmbimi të luhatshëm të lirë të përcaktuar në treg e dëgjoj shpesh, diskutohet fakti nëse mund të fiksohet apo jo, por këto janë fenomene që mund të ndodhin në një ekonomi e cila nuk ka besueshmërinë e nevojshme të monedhës kombëtare të Bankës qendrore. Janë rastet e krizave të mëdha financiare të ndodhura në Amerikën latine, apo Azinë juglindore, kur humbet besimi te monedha kombëtare, banka përpiqet të adaptojë një monedhë tjetër për të hequr dorë nga politika monetare dhe për të thënë se po zbatoj politikën monetare të qeverisë që I mora monedhën. Në Shqipëri, monedha kombëtare ka një besueshmëri të lartë, inflacion i ulët dhe kursi është duke u forcuar. Regjimet e tjera vendosen kur kursi është zhvlerësuar disa herë. Rrjedhimisht ne nuk jemi në ato kushte. BSH e ka përcaktuar qartë se pse ndërhyn në kursin e këmbimit, ndërhyn për të blerë rezervën valutore, për të siguruar stabilitetin makro ekonomik të vendit, për të shmangur spekulimet në kursin dhe për të shmangur fenomenet kur tregu i këmbimit ngrin dhe nuk ndodhin transaksione. Por ka një vendim të vitit 2018, i cili përcakton që në ato raste kur kursi bëhet pengesë për arritjen e objektivit të inflacionit, BSH e trajton këtë si fenomen që duhet të adresohet nëpërmjet ndërhyrjeve. Dhe ky është një nga rastet kjr BSH mund të bëjë ndërhyrje në treg për të arritur objektivin e inflacionit. Edhe në rast ndërhyrjesh, BSH nuk përpiqet të kthejë trendin e kursit të këmbimit port ë amortizojë një goditje e cila për arsye të caktuara mund të jetë jashtë zhvillimeve kryesore në ekonom derisa kursi të arrijë”.

Sipas ekspertit Fjorent Rrushi, ndërhyrja është e limituar dhe e domosdoshme në raste të caktuara.

“Ndërhyrja është e limituar, vetëm kur ka një lëvizje të pajustifikuar kur diferenca midis shitjes dhe blerjes është e madhe sa shkakton anomali në treg. Në këtë mënyrë, ndërhyrja e BSH është e domosdoshme pasi pasojat për konsumatorët dhe bizneset do të ishte akoma më të rënda nëse kjo diferencë në blerje dhe në shitje rritet kaë shumë saqë ngrin të gjitha transaksionet në treg. Kjo mungesë nëse do të ndodhte me një diferencë të madhe në blerje dhe shitje e likuiditetit të euros në treg ose të monedhave të tjera do të shkaktonte edhe ndërprerjen e importeve dhe krizën në rafte siç ka ndodhur në vende të tjera si Argjentina. Sa i përket mbajtjes së kursit fiks, Bullgaria ka një kurs fiks pas krizës së ’97.“, shtoi eksperti./abcnews.al