Krijimi i një shteti bektashi në Tiranë ka shkaktuar diskutime në opinionin publik, me disa që janë pro dhe të tjerë që e kundërshtojnë këtë ide. Për këtë çështje u diskutua mbrëmjen e së mërkurës në emisionin “Bardh a Zi” me të ftuar Sazan Gurin, Ylli Doçin, Faik Bashën dhe Edlira Dyrmishaj.
Ndërsa Sazan Guri, Basha dhe Dyrmishaj shprehen kundër, pastori Ylli Doçi argumenton se entiteti sovran i bektashinjve do të jetë si një “ambasadë e huaj” në kryeqytet. Ai thotë se fakti që ky projekt u publikua nga New York Times tregon se nuk është thjesht një iniciativë e kryeministrit Edi Rama.
“Është e mundur brenda një shteti laik të ekzistojë një entitet sovran. Veçantia e bektashizmit është që nuk është thjesht një komunitet ndërkombëtar por edhe qendra botërore e bektashinjve. Është një urdhër sovran. Kjo ka vlerë juridike, propagandistike. Tani ajo që i mungon është ky sovranitet dhe prezantimi si një entitet i përkufizuar si urdhër sovran. Do të jetë si një ambasadë e huaj.”, u shpreh Doçi.
“Meqenëse u publikua në New York Times do të thotë se e ka pasur një farë vetëdije më të gjerë sesa thjesht iniciativa e kryeministrit.”, tha Doçi duke shtuar se “nuk është kërcënim i barazisë së besimeve fetare apo i sovranitetit të Shqipërisë por është një vlerë e shtuar për profilin e Shqipërisë.”/abcnews.al