Sulmi raketor i Iranit/ Eksperti: Përshkallëzimi po kthehet në një luftë rajonale. Pritet përgjigje e fortë nga Izraeli, do të përpiqet të godasë…

schedule16:33 - 2 Tetor, 2024

schedule 16:33 - 2 Tetor, 2024

Eksperti për marrëdhëniet ndërkombëtare, Kreshnik Osmani thotë se tensionet në Lindjen e Mesme rrezikojnë të kthehen në një luftë rajonale dhe në një përplasje më të madhe botërore. Këtë koment ai e bëri në një intervistë për “Faqja 4”, duke komentuar sulmin me raketa balistike të Iranit ndaj Izraelit.

“Shifrat më afër të vërtetës që janë përmendur nga agjencitë prestigjioze janë te 250 raketa balistike të përdorura nga Irani dhe deri në 85 kanë goditur objektivat. Pra, 250 raketa të goditura, nga të cilat 50 -80 kanë goditur objektivat, për të shkuar më pas se jemi përballë një situatë te re që tregon se do të shkojmë të një përshkallëzim në Lindjen e Mesme. Përshkallëzimi tregon se kemi hyrë në një fazë të re të luftës që rrezikon të kthehet në një luftë rajonale dhe në një përplasje më të madhe botërore. Të gjithë palët në frontin e luftës janë bërë gati dhe janë marrë masa. Amerikanët kanë ndihmuar mbrëmë Izraelin me aeroplan mbajtëset dhe sistemet raketore, francezët kanë thënë gjithashtu të njëjtën gjë. Pra kemi mobilizim nga të gjitha kampet që janë të interesuara për të përcjellë mesazhet e tyre por edhe për sigurinë e tyre kombëtare.”, u shpreh eksperti.

Sipas tij, kundërpërgjigjia izraelite ndaj Iranit do të jetë e fortë. Ai thotë se duhet marrë në konsideratë edhe momenti i vështirë në të cilën ndodhet administrata Biden para zgjedhjeve të Nëntorit.

“Izraeli ka thënë se do të ketë kundërpërgjigje dhe mendoj se do të jetë e fortë. Do të përpiqen të godasin centralet për pasurinë e uraniumit në Iran pasi Netanyahu kërkon të tërheqë prej kohësh në përballje direkte me Iranin por a do të jenë amerikanët të nxituar. Është e rëndësishme të kuptojmë momentin amerikan, cilat janë llogaritë e administratës Biden dhe Harris pasi çdo kalkulim dhe përllogaritje e gabuar do të ketë kosto të madhe për zgjedhjet. Por nga ana tjetër, shumë mendojnë se mbështetja apo goditja e Iranit në këtë moment mund të jetë rritje pikësh për Harris. Në këtë moment, problemi është se Irani ka thënë se nëse Izraeli do të bëjë kundërpërgjigje ne do t’i japim përgjigje të tmerrshme që se kanë menduar më parë. Ndërkohë në këtë moment presidenti iranian ka mbërritur në Katar dhe është duke u pritur nga Emiri, çka më lë të kuptoj se iranianët po shikojnë nëpërmjet Katarit të diskutojnë me amerikanët pas Katari ka qenë pikë kyçe ndërmjetësimi ndërmjet amerikanëve, Hezbollahut, Hamasit.Vizita e tij menjëherë pas sulmit ndaj Izraelit besoj se ka lidhje edhe me kontrollin apo administrimin e momentit delikat që mund ta shpërthejë rajonin e Lindjes së Mesme dhe ta çojë zonën në drejt një situate të paparashikueshme.“, u shpreh eksperti./abcnews.al