Ende me penel në duar/ Kukës, 80 vjeçari pikturon peizazhe nga qyteti

schedule20:20 - 28 Shtator, 2024

schedule 20:20 - 28 Shtator, 2024

I ka kaluar të tetëdhjetat, por Aledin Tabaku nuk ka pushuar asnjë moment së pikturuari.

Në telajo, këtë periudhë të vitit preferon më së shumti të hedhë imazhe të natyrës e copëza jete nga qyteti ku jeton, Kukësi.

E gjejmë duke pikturuar bulevardin e qytetit, por thotë se kjo është ndryshe nga punët e tjera të tij.

Profesor Aledini, siç të gjithë e njohin dhe i thërrasin tregon se nuk pikturon nëse nuk ndjen emocion.

Punimet e para i ka realizuar në moshë të vogël, afro 10 vjeç.

Kujtimet dhe emocionet e çeljes së ekspozitës së parë i ka ende freskëta. Tregon se punimet ngjallën kuriozitet të banorët e Kukësit të vjetër.

Një gjini e dashur për të është kompozimi edhe pse kërkon vëmendje e shumë përkushtim.

Ka një karrierë të gjatë e të bukur në krijimtari, por sigurisht në 60 vite jo çdo gjë ka shkuar mbarë e pa probleme.  Në komunizëm tregon se çdo punë kontrollohej në detaje nga komisionet e posaçme.

Për profesor Aledinin, arti është jo vetëm ushqim për shpirtin, por edhe mundësi për t’u larguar nga rutina dhe ngarkesat e pakëndshme të jetës./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!