Izraeli shton sulmet ndaj objektivave të Hezbollahut në Liban, vriten dy komandantë

schedule07:42 - 28 Shtator, 2024

schedule 07:42 - 28 Shtator, 2024

Forcat e armatosura izraelite njoftuan më herët se po goditnin sërish objektivat e Hezbollahut në Bejrut, duke përfshirë objektet e prodhimit të municioneve, ndërtesat ku ruheshin municione të avancuara dhe një qendër komandimi.

Kjo vjen pas sulmit masiv në qendrën komanduese të lëvizjes së mbështetur nga Irani, që dyshohet se kishte në shënjestër liderin Hassan Nasrallah.

IDF njoftoi se komandanti i njësisë raketore të Hezbollahut në Libanin jugor, Mohammed Ali Ismail dhe zëvendësi i tij, Hossein Ahmed Ismail, u vranë në sulmin ajror që nisën më herët.

“Bashkë me ta, komandantë të tjerë dhe terroristë të Hezbollahut u vranë”, thuhet në një përditësim të IDF në platformën Telegram.

“Terroristi Mohammed Ali Ismail ishte përgjegjës për drejtimin e sulmeve të shumta terroriste kundër shtetit të Izraelit, duke përfshirë lëshimin e raketave në territorin izraelit dhe lëshimin e një rakete tokë-tokë në Izraelin qendror të mërkurën”, shkruan IDF.

Përshkallëzimi i fundit ka rritur ndjeshëm frikën se konflikti mund të dalë jashtë kontrollit, duke tërhequr potencialisht Iranin, mbështetësin kryesor të Hezbollahut, si dhe Shtetet e Bashkuara.

Autoritetet shëndetësore libaneze konfirmuan gjashtë të vdekur dhe 91 të plagosur në sulmin fillestar të premten./abcnews.al