VIDEO/ Emisioni ‘Gjërat Tona’: I pandehuri Sali Berisha

schedule20:53 - 22 Shtator, 2024

schedule 20:53 - 22 Shtator, 2024

Për vite me radhë ai ishte një nga njerëzit më të pushtetshëm në Shqipëri dhe bashkë me të, familja dhe rrethi, njerëzit më të përkëdhelur të fatit. Por fati, siç ka treguar historia dhe tashmë po tregon edhe dosja e SPAK në ngarkim të ish-kryeministrit Sali Berisha, gjithmonë ka nevojë për një dorë.

Dorë, e cila sipas SPAK lëvizi me një shpejtësi të paimagjinueshme në Shqipëri një çështje pronash, për të cilat një shqiptar i zhveshur nga pushteti, sorollatet gjithë jetën në dyert e institucioneve dhe ndodh të mos e marrë kurrë atë që kërkon, edhe kur ka të drejtë.

Privatizimi i ish Kompleksit Partizani në vitin 2008 nga ish-pronarët, mes tyre edhe dhëndri i ish-kryeministrit Sali Berisha, Jamarbër Malltezi, konsiderohet nga SPAK si burimi i të ardhurave të mëparshme të këtij të fundit dhe vajzës së Berishës, Argitës. Por privatizimi, më shumë se çështje e një përkatësie të drejtë, u bë i mundur si rezultat për familjen e ngushtë dhe si pasojë për shtetin, nga dora e pushtetshme e fatit, që sipas dosjes hetimore quhet Sali Berisha, në atë kohë kryeministër.

Në 500 faqe akt akuzë për ish-kryeministrin Sali Berisha që “Gjërat Tona” do të zbërthejnë në këtë episod, SPAK vë në rolin e një lloj “prestanome”, të Berishës, Jamarbër Malltezin. Të dy, si pjesë e të njëjtës anë të një monedhe të quajtur korrupsion, të korruptuar nga ana tjetër e monedhës, biznesmeni Fatmir Bektashi.

Me këtë të fundit, Jamarbër Malltezi në vitin 2008, firmosi një sërë kontratash noteriale, ku premtonte në këmbim të bonuseve shtesë përtej fitimeve nga pronat që i përkisnin, privatizimin e tyre. Privatizim që bëhej nga organet shtetërore, megjithatë, premtohet nga Malltezi një individ privat. Duke renditur njëra pas tjetrës, VKM, ndryshime ligjore dhe dëshmi të ish-zyrtarëve, SPAK thotë se privatizimi së pari u krye në shkelje të ligjit dhe së dyti, u ndikua nga pushteti i Sali Berishës.

Kjo është sipas SPAK premtimi dhe mbajtja e premtimit, përkundrejt biznesmenit Fatmir Bektashi, që konsiderohen ligjërisht njëra anë e korrupsionit. Ana tjetër është përfitimi që mori Jamarbër Malltezi nëpërmjet kompanisë “Homeplan”, që shkon deri në 5 milionë euro, 4 prej tyre të marra në cash nëpërmjet transfertave të ulëta në kohë të ndryshme.

Ndërkohë, aksesimi i lehtë i pasurisë së familjes Malltezi, në kohë të ndryshme nga ish-kryeministri Sali Berisha, për SPAK tregojnë se ato janë përfitimet e tij të korrupsionit, nëpërmjet dhëndrit të tij.

Në një dosje voluminoze shpjegohen të gjitha te dhënat, provat dhe faktet, duke nisur nga premtimi, te ndërhyrjet dhe përfitimi ekonomik.

TË FLASËSH NË EMËR TË SHTETIT

Në një dosje voluminoze, prej 500 faqesh, SPAK rendit të gjitha argumentet se si një kryeministër ka vënë shtetin në shërbim të familjes së tij. Ka ndryshuar ligje, ka bërë disa të rinj, ka ngritur agjenci e zyra, të gjithë në funksion personal. Madje ka bërë presion e shkarkuar nga detyra këdo që i ka dalë kundra. SPAK tashmë ka në dorë paligjshmëritë e institucioneve dhe procedurat e dyshimta për tjetërsimin e pronës.

Gjithçka që dukej e kopsitur mirë, me ligje e VKM të bëra enkas për një qëllim, doli në sipërfaqe nga dosja “Partizani”. Privatizimi i ish-Klubit “Partizani” duket se ka qenë një plan i mirëmenduar, madje një synim i përcaktuar qartë që ditën kur Partia Demokratike erdhi në pushtet në vitin 2005. Gjithçka nisi me firmën që Sali Berisha hodhi mbi një vendim, në cilësinë e kryetarit të Këshillit të Rregullimit të Territorit. Sipërfaqen prej 0.7 hektarësh që ndodhej brenda kompleksit sportiv Partizani, ai e ktheu nga zonë sportive në zonë banimi. Nga këtu nisi të ndryshojë gjithçka.

Si kryeministër i vendit, Sali Berisha ushtroi ndikimin e tij duke shfrytëzuar çdo institucion që kishte në varësi. Berisha ndryshoi ligjin për kthimin dhe kompensimin e pronave. Hoqi disa kufizime duke lejuar kthimin e pronave në administrim nga Ministria e Mbrojtjes nëse janë jashtë strukturave të Forcave të Armatosura. Po ashtu, ky ligj u kthen ish-pronarëve ndërtimet e përhershme që nuk përdoren për interes publik dhe deri në privatizim shteti i paguan qira ish-pronarit. Me propozim e Berishës u krijua edhe Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, aktiviteti i së cilës përcaktohej nga Këshilli i Ministrave dhe jo nga Kuvendi siç përcaktohej më parë. Edhe emërimet e drejtuesve të saj bëheshin me propozimin e tij.

Në këtë formë e më shumë makinacione të tjera, ndodhi që nga 213 prona të Ushtrisë, e vetmja që u është kthyer pronarëve rezulton të jetë ish-kompleksi Sportiv Partizani. Dhe jo një herë. Ata janë kompensuar për këtë pronë edhe në vitin 1940 nga Italia me monedha ari, kur aty ishte planifikuar të ndërtohej një aeroport. Në atë kohë zona njihej si Shëngjin, sot ish-fusha e aviacionit.

Mbi truallin sportiv ku dikur ishte kompleksi shumësportësh “Partizani”, sot janë ngritur 17 godina banimi e njësi shërbimi, që vlejnë dhjetëra miliona euro. Por paligjshmëria në privatizimin e terrenit ku ishte i ndërtuar ish-klubi Partizani i ka rrënjët edhe më të thella. Pesë familjeve ish-pronare u është kthyer një truall për të cilin ishin dëmshpërblyer edhe një herë më parë, në vitin 1940.  Italia fashiste, pas pushtimit në vitin 1939, kishte ndërtuar në atë sipërfaqe toke aeroportin e Tiranës.  Një dekret i Viktor Emanuelit, bëri shpronësimin e familjeve shqiptare, pronare të atij trualli, që në atë kohë njihej si Shëngjin. Mes familjeve që u shpronësuan, duke u dëmshpërblyer, ishin edhe Mahmut dhe Xhemal Begeja, që janë paraardhësit e Jamarbër Malltezit. Ata ishin një nga 13 familjet që ishin shpronësuar dhe kishin marrë pagesën. Në vitin 1994, Luan Malltezi, babai i Jamarbër Malltezit, që në atë kohë ishte drejtor i Arkivës, informonte Gjykatën dhe Bashkinë, se ekzistonin disa dekrete për truallin tek ish-fusha e Aviacionit, që provonin shpronësimin e ish-pronarëve. Në këtë formë, familjet ish-pronare, ishin dëmshpërblyer një herë dhe nuk mund të trajtoheshin më në zbatim të ligjit për kthimin dhe kompensimin e tokave. Ajo tokë ishte pronë shtetërore.

Në dosjen e SPAK thuhet se, përgjatë viteve ‘95-’96-’97-’99, trashëgimtarëve të familjeve ish-pronare, Begeja, Alimehmeti, Vaqarri, Saliaga dhe Llagami u janë njohur pjesërisht pronat në ish-kompleksin sportiv “Partizani”. Gjithashtu u është njohur edhe e drejta e parablerjes së objekteve në këtë territor. Por pronat që zotëroheshin nga Ministria e Mbrojtjes nuk mund të privatizoheshin, pasi këtë nuk e lejonte as ligji.

Deri në vitin 2006, nuk ka pasur asnjë zhvillim të mëtejshëm në lidhje me këto prona, sa i përket familjeve të njohura pronare, për pjesën e pakthyer. Por këto objekte dhe territore, kanë vijuar të qëndrojnë në varësi administrimi të Ministrisë së Mbrojtjes dhe Ministrisë së Kulturës. Kjo, sipas VKM nr.312, datë 15 maj 2003 “Për ndryshimin e varësisë së klubit sportiv shumësportësh Partizani nga Ministria e Mbrojtjes tek Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve” dhe VKM nr.515, datë 18 korrik 2003 “Për miratimin e inventarit të pronave të paluajtshme shtetërore, të cilat kalojnë në përgjegjësi administrimi të Ministrisë së Mbrojtjes.

Gjatë kësaj periudhe, Klubi Shumësportësh “Partizani”, në varësi të Ministrisë së Kulturës, ka arritur të funksionojë normalisht, duke pasur edhe fonde për investime, ndërkohë që Klubi i Futbollit Partizani, në varësi të Ministrisë së Mbrojtjes, është përfshirë në disa marrëdhënie tregtare. Fillimisht me një shoqëri të huaj italiane e më pas me shoqërinë Partizani sh.a. Qëndrimet e Ministrisë së Mbrojtjes në lidhje me shoqërinë Partizani kanë qenë të paqarta, pasi në kohët që pretendohej se kjo shoqëri nuk kishte  asnjë lidhje me Ministrisë e Mbrojtjes, nga ana tjetër Partizani sh.a., ashtu sikurse ishte parashikuar në aktin e themelimit dhe statusin e saj, përdorte emrin dhe stemën e Klubit ekzistues Partizani. Kjo e bënte Ministrinë e Mbrojtjes aksionere të kësaj shoqërie.

Por, ashtu siç theksohet në dosjen e SPAK, në shtator të vitit 2005, krijohet qeveria e re me kryeministër Sali Berishën dhe në Ministrinë e Mbrojtjes emërohet ministër Fatmir Mediu, në Ministrinë e Ekonomisë, Genc Ruli dhe në Ministrinë e Kulturës, Bujar Leskaj.

Me ardhjen në pushtet të kryeministrit Sali Berisha, konstatohet se familjet e njohura pronare në territorin e Klubit Partizani, fillojnë të paraqesin kërkesa për privatizimin e terreneve dhe objekteve të këtyre klubeve. Po në vitin 2005 shfaqet një reagim i menjëhershëm nga ministri i Mbrojtjes Fatmir Mediu, i cili me një shkresë të datës 14 nëntor 2005, i parashtron ministrit të Ekonomisë, Genc Ruli propozimin për miratimin e privatizimit të objekteve dhe terreneve sportive të Klubit “Partizani”.

Familjet e njohura pronare, të vetëidentifikuara si “Bashkësia Kroi i Shëngjinit”, i janë drejtuar me kërkesë edhe Ministrisë së Turizmit, që në atë kohë drejtohej nga Bujar Leskaj. Referuar shkresës së datës 28 mars 2006 të zv.ministrit të Turizmit Neritan Alibali, u është përgjigjur këtyre familjeve duke thënë se nuk ka një platformë për privatizimin e këtyre pronave. Por qëndrimi i Ministrisë ndryshon në kohën që emërohet ministër Turizmi Ylli Pango, i cili shpreh dakordësinë për privatizimin, me shkresën e datës 4 janar 2008, drejtuar ministrit të Ekonomisë, Genc Ruli.

Pasi ministri i Mbrojtjes Fatmir Mediu shpreh miratimin për kryerjen e privatizimit, konstatohet se nga muaji janar 2006 e në vijim, një pjesë e familjarëve të njohur si ish-pronarë zgjedhin si përfaqësues të tyre Jamarbër Malltezin, i cili ishte lidhje e afërt familjare e kryeministrit të asaj kohe, Sali Berishës, konkretisht bashkëshorti i vajzës së tij.

Në prokurat e përfaqësimit që i janë dhënë Jamarbër Malltezit nga familjet ish-pronare, i japin tagrin e ngjashëm me veprimet që kryen Komiteti Shtetëror i Pronave dhe Komisioni i Kthimit e Kompensimit të Pronave. Bien dakord që të lidhet me firma ndërtuese dhe që për arritjen e qëllimit, i vënë në dispozicion përfaqësuesit të tyre një kapital që fillon nga 3 deri në 5 për qind të pasurisë së tyre të paluajtshme për krijimin e një fondi rezerve, i parashikuar për përballimin e shpenzimeve emergjente.

Nga hetimet që ka kryer SPAK, nuk ka evidentuar ndonjë dokument ku të jetë materializuar vendosja e këtij fondi rezerve, por dukshëm rezulton që ky fond shfaqet si shpërblim i premtuar për Jamarbër Malltezin, me qëllim kthimin e pronave dhe lidhjen me firmat ndërtuese.

SPAK evidenton edhe faktin se firma ndërtuese që vijon e shfaqet në marrëdhënie me këto familje pronare, është shoqëria “Kontakt”, e cila ka ortak Fatmir Bektashin, që gjithashtu është përfitues i këtyre pronave, si rrjedhojë e trashëgimit.

Pra, roli dhe pozicioni i Jamarbër Malltezit, që do të kryejë veprime në drejtim të kontaktimit me firmën ndërtuese, ngre dyshime, për shkak se vetë pronarët e njohur të këtyre pronave mund të kontaktoheshin drejtpërdrejt nga Fatmir Bektashi, që ishte pjesë e bashkësisë së tyre e njëkohësisht i interesuar për të kryer ndërtime në atë zonë, siç edhe rezultoi në vijim.

Nga aktet e administruara nga SPAK, rezulton se roli i dhëndrit të Sali Berishës në drejtim të firmës ndërtuese, ka qenë marrëdhënia që ai mund të krijonte me institucionet shtetërore ku ishte e nevojshme marrja e lejeve, ndryshimi i destinacionit të zonës, etj. Në kontratën e datës 22 maj 2006 të lidhur nga njëra anë me trashëgimtarët Begeja, të përfaqësuar nga Jamarbër Malltezi dhe nga ana tjetër shoqëria “Kontakt”, e përfaqësuar nga Fatmir Bektashi, nga ana e shoqërisë është marrë përsipër ndryshimi i destinacionit të zonës ku ndodhet trualli, nga zonë sportive në zonë banimi, marrja e lejes së ndërtimit, e sheshit, etj.

Më 11 shtator 2024, ish-kryeministri Sali Berisha u vu zyrtarisht nën akuzë nga Prokuroria e Posaçme për veprën penale “korrupsion pasiv” në lidhje me çështjen e privatizimit të ish-kompleksit Partizani. Gjithashtu edhe dhëndri i tij, Jamarbër Malltezi, për të njëjtën çështje u vu në  akuzë për korrupsion dhe pastrim parash.

Në dosjen e SPAK theksohet se, me qëllim runjtjen e imazhit të një politikani që nuk është posuruar asnjëherë, Sali Berisha, nuk do të rriste formalisht pasurinë e tij dhe ky përfitim do të kalonte tek Jamarbër Malltezi, i martuar me Argita Malltezin, vajzën e Berishës. Siç edhe rezulton nga hetimi, aksesi në pasuritë e bashkëshortëve Malltezi është i përhershëm nga familja Berisha dhe jo thjeshtë shfrytëzim i pasurive të tyre për akomodim por edhe përdorimi i shumave monetare, në vlera që, duke pasur parasysh nivelin ekonomik të një politikani shqiptar, mbështetur vetëm në pagën e tij, nuk justifikohen.

Megjithatë siç rezultoi nga hetimi, Sali Berisha ka përfituar avantazhe të drejtpërdrejta, jo vetëm nëpërmjet shfrytëzimit të pasurive të familjes Malltezi, por ai ka përfituar financim nga shoqëria “Homeplan” shpk në kuadrin e fushatës zgjedhore të vitit 2013, nëpërmjet pagesave që janë kryer për akomodimin dhe udhëtimin e një këngëtari të ftuar prej tij.

Jamarbër Malltezi, duke qëndruar në këtë aktivitet korrupsioni në anën pasive, në bashkëpunim me Sali Berishën, në pranimin e premtimeve të bëra dhe në vijim siç rezulton nga hetimi, kërkimin e mitës dhe shtënies në dorë të saj, nëpërmjet një sërë transaksionesh, të fshehta dhe kamufluese, i ka treguar që në fillimet e veta Fatmir Bektashit por edhe trashëgimtarëve të familjeve pronare, se që të arriheshin objektivat duhet të paguanin. Fillimisht kanë qenë familjarët Begeja që kanë vendosur të bashkëpunonin për arritjet e këtyre objektivave, duke vendosur në dispozicion 3 deri në 5 për qind të pasurisë së tyre dhe kjo pasqyrohet më së miri në prokurat e lëshuara nga ata. Por në vijim, duke pasur parasysh madhësinë e sipërmarrjes së synuar, kontraktimin e shoqërisë “Kontakt” për zhvillimin e të gjitha trojeve, përveç një pjese ku rezulton shoqëria “Eralb”, ka qenë Fatmir Bektashi i interesuar për arritjen e të gjithë këtyre objektivave, duke marrë përsipër dhe duke theksuar në thuajse të gjitha aktet që nënshkruan, kryerjen e shpenzimeve dhe siç rezulton nga hetimi edhe dhënien e përfitimeve.

Në tërësinë e familjeve të njohura pronare, përveç familjes Begeja, kontaktet mbahen nga Fatmir Bektashi dhe personi garantues i shfaqur publikisht tek të tretët, në vend të Jamarbër Malltezit, i arritjes së objektivave të kërkuara, shtetasi Xhimi Begeja. Fatmir Bektashi do të jepte përfitimin e paligjshëm por që të realizonte këtë gje duhet të kishte pronat jo vetëm të tijat, por të pesë familjeve të njohura pronare. Për familjen Begeja, për vënien e tokës në dispozicion për zhvillimin be ndërtimit, garantues është Jamarbër Malltezi, kurse me familjet e tjera pronare, Saliaga, Llagami, Vaqarri dhe Alimehmeti, kontaktet me përfaqësuesit e tyre mbahen nga Fatmir Bektashi.

Në konkluzionet që lidhen me kthimin e pronave, SPAK parashtron edhe faktin se si AKP ka shqyrtuar me shpejtësi të pajustifikuar kërkesat e 5 familjeve të njohura pronare, në krahasim me kërkesat e qytetarëve të tjerë, duke pasur parasysh ngarkesën dhe volumin e dosjeve që kishte. Kërkesa e familjes Begeja është paraqitur në mesin e muajit dhjetor 2006. Menjëherë pas përfundimit të pushimeve dimërore, më datat 8 dhe 9 janar 2007, grupi i punës është aktivizuar për të nisur nga puna me këto dosje.

Kërkesat e gjendura në dosje, specifikisht ato që i përkasin familjeve Alimehmeti, Saliaga dhe Begeja, janë thuajse të njëjta me njëra – tjetrën, duke vërtetuar faktin se janë përgatitur nga e njëjta dorë, mbështetur edhe nga deklarimet e dhëna nga shtetas të ndryshëm gjatë hetimor, që këto kërkesa janë kryer pas mbledhjeve të anëtarëve të familjeve. Për familjen Begeja, kërkesa është paraqitur nga Bashkim Bektashi, daja i Jamarbër Malltezit. Paraqitja e kësaj kërkesë konstatohet se është bërë nën udhëzimet e Fatmir Bektashit, Xhimi Begesë dhe Jamarbër Malltezit.

Grupi i punës ka pasqyruar sikur janë kryer verifikime në terren për familjet, ndërkohë që nuk rezulton të kenë qenë të pranishëm subjektet kërkuese, duke vërtetuar fiktivitetin e këtyre verifikimeve. Kjo gjë mbështetet edhe nga fakti se ka qenë realisht e pamundur kryerja e verifikimeve, matjeve të sipërfaqeve të tokave brenda një dite, duke pasur parasysh madhësinë e tyre, apo mbështetur edhe në deklarimet kontradiktore të dy punonjësve të AKP-së, që supozohet të kenë qenë në terren. Moskryerja e verifikimit mbështetet ndër të tjera edhe në faktin se përgjatë regjistrimit të pasurive të këtyre familjeve, nga matjet, disa sipërfaqe kanë rezultuar më të vogla në terren. Për më tepër, në rast se do të ishin kryer verifikimet në terren, do të ishin konstatuar disa objekte të shtetit apo të subjekteve të treta, apo ndërtime të paligjshme, ku sipërfaqja e truallit e ndodhur nën to, nuk mund të kthehej.

Nga verifikimi i shkresave shtetërore, konstatohet qartësisht se disa territoret, për të cilat vendoset kthimi, janë prona të shtetit që paraqesin interes publik dhe si të tilla nuk mund të ktheheshin për sa kohë shërbenin për kryerjen e shërbimeve publike, siç ishin ato në fushën sportive. Nga grupi i punës janë përpiluar relacione fiktive, referuar kohës së kryerjes, pra data e vendosur në këto relacione, nuk përputhet me përmbajtjen, pasi janë cituar shkresa që janë administruar më vonë. Kjo nënkupton se datat fiktive janë vendosur vetëm për të treguar një radhë pune që duket se nuk është ndjekur dhe përpilimi e plotësimi i akteve është kryer formalisht, në mënyrë që të konkludohej sa më parë me vendimmarrje.

SPAK thotë se janë marrë vendime pa u administruar përgjigjet nga institucionet. Janë kthyer prona në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës, që garanton mbrojtjen e tyre, por edhe në kundërshtim me ligjin për kthimin dhe kompensimin e pronave. Kjo ka sjellë problematika, pasi ka krijuar mbivendosje edhe me institutin e Hidrometeorologjisë. Konkretisht, kthimi i pronave të familjes Begeja, ka sjellë mbivendosje me ambientet e këtij Instituti, truall ku ndodheshin objektet që i përkasin Observatorit të Institutit të Energjisë, Ujit dhe Mjedisit.

Nga aktet e administruara pranë AKKP-së, nuk rezultoi të jetë administruar asnjë dokument që të verifikonte faktin nëse kishte objekte pa leje të ndërtuara dhe nëse ishin në proces legalizimi. Në territoret sportive ishin vendosur shumë familje, të cilat edhe kishin paraqitur praktikat pranë ALUIZN-it për legalizim, apo familje që ishin futur ne objektet sportive të klubit si të pastrehë. Këta shtetas quhen “uzurpatorë” nga Jamarbër Malltezi, Xhimi Begeja dhe Fatmir Bektashi, të cilët me qëllim largimin e tyre, detyrohen edhe t’i paguajnë në vlera monetare ose me dhënie njësie banimi.

SPAK shprehet në dosje se kjo tregon qartazi për një urgjencë në kryerjen e veprimeve, që vërteton se punonjësit e AKKP0-së kishin marrë udhëzime për kryerjen e kthimit të kësaj prone sa më shpejt të ishte e mundur.

Referuar nenit 62 të ligjit për urbanistikën, përcaktohet se:

Ndërtimet që mund të bëhen janë vetëm ato të përcaktuara në studimin urbanistik në përputhje të plotë me funksionin e miratuar.

Për rastet e pronave të kthyera nga komisionet e kthimit dhe kompensimit të ish-pronarëve, kur këto prona gjenden në territore të tilla, KRRT-të e të gjitha niveleve nuk kanë të drejtë të ndryshojnë destinacionin e përcaktuar në studimin e miratuar. Në këto raste pronarët e tokave kanë të drejtë të kërkojnë kompensim sipas ligjeve në fuqi.

Por pavarësisht parashikimeve të ligjit, rezulton se premtimi i bërë në kontratë është realizuar, pasi me vendimin e datës 8 qershor 2006 të kryetarit të KRRT-së, Bashkia Tiranë, është vendosur ndër të tjera që të miratohet kërkesa për ndryshim të destinacionit për zonën rruga “Frosina Plaku” dhe rruga e planit rregullues nga zonë sportive në zonë banimi. Ky vendim hyn në fuqi pas miratimit nga KRRTRSH.

Më 21 nëntor të vitit 2006, Sali Berisha në cilësinë e kryetarit të Këshillit të Rregullimit të Territorit, firmos vendimin nr.4, duke miratuar ndryshimet në planin rregullues të qytetit të Tiranës, në lidhje me zoonimin funksional për disa zona të qytetit. Këtu përfshihet zona me sipërfaqe 0.7 hektar në rrugën “Frosina Plaku”, e cila ndryshon nga zonë sportive në zonë banimi.

Sipas aktit të ekspertimit të kryer nga topografi referuar plan vendosjes, zona për banim ndodhet brenda Klubit Shumësportësh Partizani, në kufirin jugperëndimor të tij, brenda sipërfaqes së njohur dhe më pas kthyer familjes Begeja.

 DOSJA E SPAK

Siç lehtësisht mund të konstatohet, ky është një ndër veprimet e para të kryeministrit të kohës, Sali Berisha, ku mund të evidentohet qartësisht konflikti i interesit, pasi si vjehrri i Jamarbër Malltezit, ai ndërmerr veprime për ndryshim destinacioni nga zonë sportive në zonë banimi, pikërisht në territore, në të cilat marrin jetë dhe zhvillohen një tërësi ndërtimesh të kryera nga shoqëria “Kontakt”, e cila siç rezultoi në vijim, është bashkëpunëtore e ngushtë me shoqërinë “Homeplan”, ku ortak në këtë të fundit është Jamarbër Malltezi.

Në lidhje me veprime që Jamarbër Malltezi do të kryente në Komitetin Shtetëror të Pronave, konstatohet se përgjithësisht ai nuk ka kryer ndonjë veprim të dukshëm, pasi kërkesat janë përgatitur nga trashëgimtarët respektivë, sipas përfaqësuesve të tjerë të caktuar nëpër prokura, por është evidentuar se herë pas here vendosen si adresa kontakti ato të Xhimi Begeja dhe Fatmir Bektashi. Në ndërthurje të gjithë analizës, konkludohet se roli i Jamarbër Malltezit ka qëndruar i fshehur në lidhje me institucionet shtetërore.

Në kohën që Ministria e Mbrojtjes fillon të ketë probleme në lidhje me Klubin e Futbollit Partizani, pasi evidentohet se në disa dokumente pasqyrohet si e përfshirë në planin e përhapjes e në disa të tjera jo, nuk po arrihej regjistrimi në Zyrën Vendore të Regjistrimit të Pasurive të paluajtshme i kësaj prone. Nuk po merren në dorëzim nga Komanda e Mbështetjes Logjistike dhe nga ana tjetër Ministria e Turizmit nuk shprehej për privatizimin e Klubit Shumësportësh Partizani, afati për të paraqitur kërkesa në Agjencinë e Kthimit të Pronave përfundon.

Atëherë nga Këshilli i Ministrave, në kohën që kryeministër ishte Sali Berisha, propozohen ndryshime të ligjit të vitit 2004 për kthimin dhe kompensimin e pronës, duke u miratuar ligji nr. 9583, datë 17 korrik 2006, duke hyrë në fuqi në gusht 2006, ku afati ndryshohet duke u bërë deri më datë 1 tetor 2007.

Por ndryshimet që pësoi ligji në këtë kohë, nuk kishin të bënin vetëm me afatin, por edhe me kufizimet në lidhje me kthimin e pronave. Kufizime që u hoqën dhe u vendos që subjekteve të shpronësuara u kthehen të gjitha pronat e paluajtshme në pronësi apo përdorim të Ministrisë së Mbrojtjes, por që janë jashtë strukturës së Forcave të Armatosura, të miratuara nga Presidenti i Republikës. Gjithashtu u kthehen ish-pronarëve edhe kur ndërtimet e përhershme dhe të ligjshme të pronarit shtet nuk përdoren më për interes publik dhe madje deri në privatizimin e objektit, shteti detyrohet t’i paguajë subjektit të shpronësuar çmimin e qirasë.

Ndryshimet e këtij ligji sollën edhe ndryshime në organizimin e Komitetit Shtetëror të Kthimit të Pronave, i cili deri në atë moment kishte anëtarë që emëroheshin dhe shkarkoheshin nga Kuvendi. Ndërkohë u vendos krijimi i Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, ku mënyra e organizimit dhe e funksionimit të saj, si dhe procedurat e mbledhjes, përpunimit dhe administrimit të kërkesave të subjekteve të shpronësuara, përcaktohej nga Këshilli i Ministrave sipas VKM-së nr. 566, datë 23 gusht 2006, të miratuar me vendim të kryeministrit, Këshillit të Ministrave. Edhe organika e struktura e AKKP-së përcaktoheshin me urdhër të kryeministrit.

Kjo VKM përcaktonte edhe detyrimin për raportim e informim tek kryeministri të drejtorit të Përgjithshëm të AKKP. Drejtori emërohej, lirohej dhe shkarkohej nga detyra nga Këshilli i Ministrave, me propozim të kryeministrit, ndërsa 2 zëvendësdrejtorët, emërohen, lirohen dhe shkarkohen nga detyra nga kryeministri, me propozim të ministrit të Drejtësisë.

Pra shihet qartë një rritje e pushtetit të kryeministrit në sektorin e kthimit të pronave. Pushtet që ai fillon ta ushtrojë menjëherë duke emëruar në krye të AKKP Justina Boriçin, e cila më pas emëron drejtoreshën Rajonale Dhurata Hoxha (Çela).

Pas ndryshimeve ligjore, marrjes së pushtetit hierarkik mbi Agjencinë e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, heqjes së pengesave në lidhje me pronat e Ministrisë së Mbrojtjes, të afateve kufizuese, si dhe hapjes së mundësisë së privatizimit, familjet ish-pronare fillojnë të paraqesin kërkesat për kthimin e pronës në territoret e klubeve sportive. Kërkesat paraqiten në muajt nëntor-dhjetor 2006 dhe menjëherë pas pushimeve të vitit të ri Zyra Rajonale e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave nis me dosjet e familjeve Begeja, Alimehmeti, Vaqarri, Saliaga dhe Llagami. Brenda 3 muajve merren 4 vendime për kthimin e pronave dhe njohjen e të drejtës së parablerjes në territoret sportive. Deri në muajin e pesë merret edhe vendimi i fundit për njërën nga familjet pronare.

Sipas SPAK, nga studimi i dosjeve konkludohet se ZRKKP ka vepruar me shpejtësi për të shqyrtuar çështjet, për t’ nisur shkresat institucioneve, për të kryer verifikime në terren edhe pa praninë e subjekteve përfaqësuese të familjeve, për të administruar shkresa fotokopje dhe pa vlerë juridike të dorëzuara nga ish-pronarët, që tregonin korrespondencë mes ministrive për privatizimin dhe në përfundim për të konkluduar për kthimin e pronave.

SPAK thotë se, mbështetur në aktin e ekspertimit të realizuar gjatë hetimit, ka rezultuar se për sa i përket pronës së familjes Begeja, mbetet e paqartë një sipërfaqe prej mbi 4400 metër katror, e cila ndodhet jashtë Klubit Partizani. Bëhet fjalë për pjesën e rrugës në anën perëndimore dhe sipërfaqen më në perëndim të saj. Kjo sipërfaqe është pjesë e sipërfaqes prej 28 mijë metrash katrorë të kësaj familjeje, të njohur dhe kthyer nga vendimet e Komisionit të Kthimit e Kompensimit të Pronave dhe pozicionohet jashtë kufirit të Klubit Partizani. Në pozicionet e mëvonshme, e gjithë sipërfaqja e pronës prej 28 mijë metrash katrorë e familjes Begeja është pozicionuar brenda klubeve, duke krijuar një sipërfaqe fiktive.

Sipas SPAK, nisur nga këto të dhëna, ekziston dyshimi i arsyeshëm, i mbështetur në prova se roli i Jamarbër Malltezit në drejtim të kthimit të pronave, ishte pikërisht ndihma që ai do të jeote në ndryshimet e ndodhura ligjore nga vjehrri i tij, ish-kryeministri Sali Berisha dhe konkludimi në vijim i suksesit në kthimin e këtyre pronave.

Më 19 shtator të vitit 2007, ministri i Ekonomisë, Genc Ruli, ka miratuar privatizimin e terreneve sportive dhe objekteve të Kulbit Partizani dhe deri në muajin korrik të vitit 2008 është ngritur komisioni i vlerësimit, janë marrë konfirmimet në lidhje me pronën dhe është përgatitur ekspertimi.

Ndërkohë kishte ende diçka që e pengonte këtë veprim. Ishte ligji i vitit 2005 për sportet.

Ndryshimi i statusit të objekteve sportive në varësi të pushtetit qendror a vendor, bëhet në përputhje me ligjin nr.7926, datë 20 prill 1995 “Për transformimin e ndërmarrjeve shtetërore në shoqëri tregtare” dhe se objektet sportive jepen me koncension, me kusht që të mos u ndryshojë destinacioni, në përputhje me ligjin e datës 18 dhjetor 2006 “Për koncensionet dhe pjesëmarrjen e sektorit privat në shërbimet publike dhe infrastrukturë”.

Kjo pengesë kalohet në vitin 2008, pasi më 21 korrik të atij viti, me propozim të Këshillit të Ministrave miratohet ligji me numër 9963, për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin e vitit 2005, duke u quajtur ligji “Për sportet i ndryshuar”. Në nenin 31 të këtij ligji përcaktohet se: Objektet sportive privatizohen nga pronarët e truallit, ku ka të tillë, në të kundërt jepen me koncension.

Pikërisht pas këtij momenti, në lidhje me Klubin e Futbollit Partizani, pa humbur kohë, fiks një ditë pasi u miratua ky ligj, më datë 22 korrik, Drejtoria e Privatizimit, pjesë e Ministrisë së Ekonomisë, i dërgon Ministrisë së Financës dokumentacionin për privatizim. Me urdhër të së njëjtës datë, të drejtorit Urim Maja, ngrihet komisioni për verifikimin e dosjeve të vlerësimit të Klubit Shumësportësh Partizani.

SPAK konkludon në dosje se roli i Jamarbër Malltezit në procedurën e privatizimit shfaqet ndër të tjera edhe në përputhje me marrjen përsipër nga shoqëria Kontakt të ndryshimit të destinacionit të zonës. Në rastin konkret është proceduar me mundësinë e privatizimit të objekteve sportive duke i shfrytëzuar më pas ndryshe nga funksioni sportiv që kishin.

Pas një memo që përgjegjësi i sektorit të shitjeve, Nuri Sopaj i ka nisur drejtorit Urim Muja, duke i parashtruar se po i paraqesin për miratim procesverbalin për dhënien e të drejtës së parablerjes, qeveria vlerëson të bëjë edhe disa ndryshime të tjera në aktet nënligjore. Miratohet VKM nr.1638, datë 17 dhjetor 2008 për kriteret e vlerësimit të pronës shtetërore që privatizohet apo transformohet dhe për procedurën e shitjes, ku ndryshon metodologjia e pagesës së vlerës së objektit, i cili më parë bëhej vetëm me lekë, ndërsa pas këtij akti parashikohet të bëhet 20 për qind në lekë dhe 80 për qind në bono privatizimi dhe letra me vlerë.

 Në mbledhjen rreth këtij akti nënligjor ka ndodhur ky diskutim:

 Genc Ruli: Jo ankandi është veç doktor, por futëm 20 % lekë dhe 80 % me letra me vlerë

 Sali Berisha: Bravo! Jepe këtë njoftim se edhe kjo përbën risi. Ma thuaj si ua keni vlerësuar letrat me vlerë juve këtyre? Unë do të mbroj pronarët, do të bëj avokatin e tyre. Domethënë si t’ia bëjmë që t’i favorizojmë, t’i marrim ato se ja ke mbajtur tjetrit, ti e ke shfrytëzuar.

 Sali Berisha: Letrat me vlerë ua kemi borxh se nuk i kemi shpërndarë. Duhet të gjejmë mënyrat që t’i ndihmojmë, t’i hetim këto letra me vlerë. Këtë e kemi bërë shumë mirë. Jam shumë dakord me ty, se nuk i marrim dot, absolutisht. Jepe këtë lajm, është një lajm shumë i rëndësishëm, që u miratua, që 80 % ta paguajnë me letra me vlerë vetëm pronarët. Ai borxh do të shlyhet. Qeveria ka borxh. Ma gjej ti mua mënyrën se si ta shlyejmë. Unë me atë borxh nuk rri. Unë do ta shlyej po qe se shqiptarët ma japin mandatin e dytë. Unë ta them se do t’ua shlyej borxhin. Unë atyre letrave do t’u qëndroj se kanë një sens ato të shpërndarjes së pasurisë. Kanë një bazë morale shumë të fuqishme. Tjetër punë se tani nuk po merret kush me këto në botë, por ne do të merremi, nuk kemi se çfarë të bëjmë.

 Por, megjithëse në Komisionin e vlerësimit të privatizimit të Klubit Partizani ishte caktuar një përfaqësues nga Ministria e Mbrojtjes, këmbëngulej që kjo pronë të merrej në përgjegjësi administrimi nga Komanda e Mbështetjes Logjistike. Kjo gjeti kundërshtim të fortë nga komandanti Vladimir Qiriazi. Me një shkresë të datës 26 mars 2009, ai i është drejtuar shefit të Shtabit të Përgjithshëm Maksim Malaj, ku i parashtron se atë ditë, me telefon, i është kërkuar zbatimi me urgjencë i urdhrit për dorëzim prone e ligje kontrate. Në shkresë ai thotë se kjo del jashtë përgjegjësisë së tij si komandant dhe ndjehet i shqetësuar për mënyrën se si i kërkohet kjo firmosje, ndaj kërkon mendimin e tij.

Me një tjetër shkresë, më datë 2 prill 2009, Vladimir Qiriazi ka informuar shefin e Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosuara, Maksim Malajn, në lidhje me takimet e zhvilluara me ministrin e Mbrojtjes Gazmed Oketa për çështjen e dorëzimit të pronës. Qiriazi sqaron në shkresë se ka informuar dhe për raste të tjera që Ministria e Mbrojtjes kërkon ushtarakët për të firmosur, ndërkohë që ka në dispozicion Drejtorinë e Menaxhimit të Instalimeve dhe Burimeve të Mbrojtjes.

Në këtë shkresë Qirjazi është shprehur se, Ministri i ka kërkuar që të firmoste pasi kjo gjë i kërkohej edhe atij. Sqaron se, ka marrë takim me ministrin më datë 31 mars 2009 në orën 18:15 dhe se është ballafaquar më datë 1 prill rreth orës 13 me personelin e Drejtorisë së Menaxhimit.

Vladimir Qiriazi: Unë i thashë ministrit Gazmend Oketa se nuk mund të firmosja dhe ai më tha se edhe atij po ia kërkonin që të firmosej. Më tha “Duhet firmosur…” por nuk më sqaroi se kush ia kishte kërkuar firmosjen. Ministri Gazmend Oketa më tha se kjo gjë mund të shkonte deri në masë, se faktikisht, në raportin e komisionit të auditit, ministrit Oketa i kërkohej qe unë te ndëshkohesha me masë disiplinore….

Në Kryeministri, është gjendur një shkresë fotokopje (por jo origjinalja) e datës 30 mars 2009, drejtuar Sali Berishës, me lëndë “Njoftim për keqpërdorim funksioni zyrtar” nënshkruar nga përfaqësuesit e familjeve pronare Artan Alimehmeti, Ardian Llagami, Kreshnik Kaçurri, Igli Vaqarri.

Megjithëse është kërkuar pranë Arkivës së Këshillit të Ministrave në Kryeministri, shkresa origjinale e datës 30 mars 2009 drejtuar kryeministrit Sali Berisha, nuk është arritur të gjendet. Gjithashtu nga këqyrja e regjistrit të korespodencës në Kryeministri, për periudhën 27 mars 2009 – 2 prill 2009 nuk u konstatua as e regjistruar në protokoll hyrje e shkresës / ankesës datë 30 mars 2009.

Vladimir Qiriazi, më 26 maj të vitit 2009 i është drejtuar me një shkresë edhe presidentit të Republikës, Bamir Topi.

Vladimir Qiriazi: “Në lidhje me dorëzimin dhe nënshkrimin e kontratës së shitjes, ju bëj me dije se kjo pronë nuk është në administrim e kontabilitet të komandës, për rrjedhojë nuk mund ta dorëzoj apo të lidh kontratë me ish-pronarët. Kam informuar ministrin e Mbrojtjes dhe jam takuar disa herë më te duke i kërkuar argumente ligjorë nga strukturat vartëse, por vijimisht më është kërkuar që kjo kontratë duhej nënshkruar. Për këtë pronë kanë treguar vëmendje të veçantë Departamenti i Kontrollit të Brendshëm Administrativ dhe Antikorrupsion në Këshillin e Ministrave që ka ardhur për verifikim me autorizim të kryeministrit Sali Berisha.  Prona në fjalë është duke u përdorur nga një subjekt privat që ushtron aktivitet që nga viti 2000 si sh.a FK Partizani dhe nuk dihet kush ia ka dhënë në përdorim. Kjo pronë nuk i është dorëzuar asnjëherë dhe për asnjë rrethanë Komandës Mbështetëse nga Ministria e Mbrojtjes apo Shtabi i Përgjithshëm. Prona sipas Institutit të Gjeografisë Ushtarake është 30 mijë metër katror, ndërkohë që kërkohet të dorëzohet dhe shitet rreth 27 mijë metër katror. Prona rezulton me mbivendosje. Nuk kanë marrë certifikatë pronësie dhe për rrjedhojë nuk mund të shitet. Për vlerësimin e kësaj prone nuk ka pasur asnjë përfaqësues të Këshillit të Ministrave dhe nuk kanë asnjë dijeni për procedurat e ndjekura.”

Gjendur para faktit se Vladimir Qiriazi nuk kishte ndërmend të ndryshonte qëndrim, zgjidhja përfundimtare është gjetur nëpërmjet largimit të tij nga detyra me dekretin e datës 2 shtator 2009 të presidentit të kohës, Bamir Topi dhe emërimin në vend të tij të Xhemal Gjunkshit.

Një javë pas emërimit të Gjunkshit, më datë 15 tetor 2009, administrohen aktet nga Ministria e Mbrojtjes në lidhje me vlerën e pasurive të Klubit të Futbollit Partizani dhe nga ministri i Mbrojtjes Arben Imami nënshkruhet autorizimi për dorëzimin e pronës dhe lidhjen e kontratës me fituesit e privatizimit.

Nga të gjitha veprimet hetimor, SPAK ka përllogaritur se nga këto privatizime, shtetit i ka ardhur një dëm në vlerën 436 444 444 lekë.

Ka rezultuar se, më datë 21 tetor 2009, është lidhur kontrata e shitjes për blerjen e objekteve dhe një pjesë e truallit të Klubit të Futbollit Partizani, me sipërfaqe totale 26 mijë e 524 metër katror, nga e cila 775 metër katror nën objekt, sipas vendimit të KKKP. Nga verifikimi i dokumentacionit të pronësisë dhe krahasimit të hartave të pronës së ish-pronarëve, në gen planin e objektit që privatizohet, një pjesë e truallit, prej 857 metër katror nuk përfshihet në pronën e njohur ish-pronarëve. Sipas përllogaritjeve të komisionit, familjet që do të kryenin privatizimin, duhet të paguanin edhe shumën prej 22 956 459 lekë.

Ndërkohë, nga interpretimi i kontratës, është shitur e gjithë prina, përfshirë edhe sipërfaqen prej 857 metër katror me kushtin që ta bëjnë brenda 30 ditëve pas konfirmimit të ARPP. Pagesa nuk është bërë asnjëherë.

PËRFITIMET E JAMARBËR MALLTEZIT

SPAK ka konstatuar se vjelja e përfitimit të padrejtë, është kryer si rezultat i një procesi të gjatë, në varësi të zhvillimit të ndërtimeve dhe vjeljes së përfitimeve nga këto ndërtime. Konkretisht, në muajin maj 2008, është krijuar shoqëria “Homeplan”, ku qëllimi i vetëm i krijimit të saj, ka qenë dokumentimi i të ardhurave dhe shpenzimeve që kryhen për privatizimin, për ndërtimet, me qëllim për t’u pasur nën kontroll nga Jamarbër Malltezi, për rezultatin final, marrjen e përfitimit të premtuar. Pjesë e këtyre përfitimeve është bërë edhe Xhimi Begeja, i cili ka vepruar në terren si përfaqësues i familjes Begeja, megjithëse tagrat si përfaqësues i ishin dhënë Jamarbër Malltezit.

Kjo gjë lexohet edhe nga fakti si pas shpërndarjes së fitimeve, shoqëria “Homeplan”, nga ortakët vendoset të kalojë në likuidim, duke treguar edhe një herë se ekzistenca e saj ka qenë vetëm për dhënien e përfitimeve.

Kontabiliteti është mbajtur nga Andia Pustina dhe studio “Pustina”, e cila është mikeshë e familjes Berisha dhe Malltezi, që ka mbajtur dhe përpiluar deklaratat e tyre DIVA dhe deklaratat e pasurisë për dorëzimin në ILDKPKI. Motra e saj, Laura Pustina, e cila përgatit kontrata të ndryshme apo akte në funksion të zhvillimit të ndërtimeve por edhe të shoqërisë “Homeplan”, është e martuar me shtetasin Andi Toma, i cili gjatë pushtetit të Sali Berishës ka mbajtur pozicione drejtuese si drejtor i Përgjithshëm i Autoritetit Rrugor Shqiptar. Emri i tij shfaqet edhe në planin e veprimit për reformimin e kapaciteteve institucionale dhe shndërrimin e Drejtorisë së Përgjithshme të Rrugëve në Ent Publik të miratuar me VKM nr.341, datë 27 shkurt 2008, ku Andi Toma evidentohet si drejtor i Përgjithshëm i Shërnbimeve Ligjore Mbështetëse dhe i cituar si zyrtar i konsultuar.

Audituese është Shpresa Breçani, mbesa e Sali Berishës. Ndërsa si subjekt i ruajtjes së ambienteve ku zhvillohen ndërtimet, kontraktohet “Breçani R.O.S.P”, me administrator Fatbardh Breçanin, vëllai i Erzen Breçanit. Kjo shoqëri, më datë 30 qershor 2009 ka caktuar si eksperte kontabël Shpresa Breçanin.

Emri i Erzen Breçanit përmendet dhe rezulton ndër dokumente, në lidhje me ndërhyrjet që ka bërë Policia e Shtetit gjatë kohës së lindjes së konflikteve ndërmjet shoqërisë ndërtuese “Kontakt” e “Homeplan” me qytetarë të ndryshëm.

Vetëm në vitin 2012, shoqëria “Homeplan” është financuar nga Jamarbër Malltezi në shumën e rreth 45 mijë eurove dhe ky është financimi i vetëm që ai ka bërë. Nga eksperti kontabël që ka kryer ekspertimin përgjatë hetimeve, është evidentuar që “Homeplan” është financuar në vitin 2016 nga Xhimi Begeja, në shumën e rreth 74 mijë eurove. Por edhe kjo shumë nga hetimet ka rezultuar se i është dhënë Begesë si hua nga “Homeplan”, hua të cilën ai e ka përdorur për të shlyer vlerën e objekteve të blera nga kjo shoqëri. Është financuar me kredi bankare në shumën 1 milionë euro në vitin 2013 dhe 300 mijë euro në vitin 2014. Për periudha të tjera është financuar kryesisht nga arkëtimet e klientëve për derdhjet e bëra për shitblerjen e pronave. Dokumentohet të paktën që nga viti 2011, që Jamarbër Malltezi ka nisur të marrë përfitime të dhëna cash e në vijim në forma të ndryshme si me fatura, bankë, etj.

Me qëllim vjeljen e këtyre të ardhurave, të cilat sa vinin në rritje, kanë filluar përpjekjet që pjesëmarrja e Jamarbër Malltezit dhe Xhimi Begesë të formalizohen me hyrjen në shoqëri si bashkëortakë. Për këtë është përgatitur një kontratë shitblerje aksionesh për vitin 2014, sikur janë shitur kuotat pikërisht në atë periudhë. Por nga të dhënat e hetimit ka rezultuar se në hard drive-in e jashtëm të gjendur në studio “Pustina”, rezulton i ruajtur dokumenti “Praktika e shitjes së pjesëmarrjes”, ku gjendet vendimi i ortakut dhe kontrata e shitjes. Ky dokument rezulton të jetë krijuar më 21 shtator 2018 me autor Laura Pustina dhe të jetë printuar po në atë datë.

Rezulton nga hetimet se janë bërë përpjekje ndër vite për të justifikuar Jamarbër Malltezin dhe Xhimi Begenë në vjeljen e përfitimeve nga shoqëria “Homeplan”, por deri në fund të vitit 2018 nuk ishte gjetur forma si do të bëhej ky prezantim. Përpilimi i kontratës së shitjes në vitin 2014 është përë për të justifikuar të ardhurat që Jamarbër Malltezi ka marrë me bankë që nga viti 2017, në formën e dividentit. Atij i janë derdhur paratë në llogari bankare, në shuma të copëzuara edhe me përshkrime si “kalim fondi” dhe “divident”.

Gjithçka është bërë me qëllim shmangien e raportimit. Si përfundim, SPAK konkludon se Jamarbër Malltezi rezulton të ketë marrë nga “Homeplan”, në total:

5 908 570 euro. 4 657 755 euro, nga viti 2011, fitime cash, nëpërmjet faturave dhe 1 250 815 euro përfitime nga njësi shërbimi të marra më tepër sipërfaqe takuese tek 11-katëshi.   

Ndërsa Xhimi Begeja ka përfituar gjithsej nga “Homeplan” 3 354 140 euro, të cilat janë përfitime cash, nëpërmjet faturave dhe pagesa dividenti. Gjithashtu ai ka përfituar edhe shumën prej 500 mijë eurosh nga shitja e kuotave në shoqërinë “Homeplan”.

 PËRFITIMET E FAMILJES BERISHA

Përgjatë viteve, konstatohet se familja Berisha ka aksesuar dhe përfituar nga të ardhurat e familjes Malltezi, duke kryer shpenzime të ndryshme që nuk mund të mbulohen vetëm me të ardhurat e vajzës së tyre Argita Malltezi.

Viti 2014: Gjithsej 24 mijë euro, shuma 6 mijë euro shpenzime shëndetësore për Liri Berishën, deklaruar në ILDKPKI nga vetë Sali Berisha se këto para janë dhënë nga dhëndri i tij, Jamarbër Malltezi dhe 18 mijë euro deklaruar nga Shkëlzen Berisha se i janë dhënë hua, pa interes, nga Jamarbër Malltezi, shumë e cila deri më sot nuk dokumentohet të jetë shlyer.

Viti 2017: Rreth 27 mijë dollarë dhe 7 mijë euro, shuma prej rreth 7 mijë eurosh shpenzime mjekësore për Sali Berishën, vetëdeklarim i Argita Malltezit në ILDKPKI dhe rreth 27 mijë dollarë paguar avokati i Shkëlzen Berishës, Jason Zolads në Amerikë, shumë kjo e pretenduar e dhënë pa interes, sipas vetëdeklarimit të tij.

Viti 2018: 3 mijë euro pushime të paguara nga Jamarbër Malltezi për Sali dhe Liri Berishën, sipas deklarimit të tyre në ILDKPKI.

Viti 2021: Rreth 20 mijë euro gjithsej, afro 13 mijë euro të pasqyruara si detyrim ndaj Jamarbër Malltezit për shpenzimet e konsulencës, avoktisë për zyrën ligjore në Francë për çështjen Antony Blinken për Sali dhe Liri Berishën, sipas deklarimit t tyre dhe rreth 7 mijë euro si detyrim ndaj Jamarbër Malltezit për të njëjtin qëllim nga Shkëlzen Berisha.

Viti 2022: Rreth 72 mijë dollarë, likuiduar studios ligjire në Mbretërinë e Bashkuara në lidhje me praktikën ligjore nga Argita Malltezi, sipas deklarimit të Sali Berishës në ILDKPKI, pagesa të kryera nga Argita Malltezi sipas konfirmimeve bankare.

Viti 2023: Rreth 202 mijë euro dhe afro 54 mijë dollarë, likuiduar faturat e studios ligjore në Mbretërinë e Bashkuar në lidhje me praktikën ligjore nga Argita Malltezi për të atin Sali Berisha. Ka gjithashtu disa pagesa nga Jamarbër Malltezi ato i kreditohen në llogari nga bashkëshortja, Argita.

Viti 2024: Rreth 214 mijë euro, likuiduar faturat e studios ligjore në Mbretërinë e Bashkuar në lidhje me praktikën ligjore nga Argita Malltezi për babanë e saj Sali Berisha.

Përgjatë vitit 2013, në kohën e fushatës zgjedhore, rezulton se mbështetur në kërkesën dhe kujdesin e veçantë të kryeministrit të kohës, Sali Berisha, ministri i Kulturës ka ftuar këngëtarin Riccardo Cocciante, të vijë në Shqipëri. Ky i fundit ka ardhur i shoqëruar nga bashkëshortja e tij, si dhe këngëtarja Elhaida Dani e një gazetar italian. Në dokumentet e Ministrisë së Kulturës paraqitet si mbështetes Fatmir Bektashi, por nga aktet ka rezultuar se pagesat për akomodimin dhe udhëtimin e tyre janë kryer nga shoqëria “Homeplan”, në një vlerë totale prej rreth 676 mijë lekësh.

Në dosjen e SPAK renditen disa pagesa që bashkëshortët Malltezi kanë bërë për llogari të çiftit Sali e Liri Berisha. Konkretisht, nga hetimet ka rezultuar se një pjesë parash, të ardhura të familjes Malltezi, kanë shkuar në drejtim të Fondacionit “Dominic Scaglione”, me presidente Liri Berishën. Në periudhën 2010-2022, Argita e Jamarbër Malltezi kanë sponsorizuar Fondacionin në shumën prej afro 9 milionë lekë, 24 mijë euro dhe rreth 8 mijë dollarë.

Hetimet kanë nxjerrë në pah edhe të tjera favorizime të Sali Berishës në drejtim të familjes së vajzës së tij. Në dosje thuhet se, pas ardhjes te Berishës në pushtet, vajza e tij Aregita Malltezi nis aktivitetin si bashkëortake me një shtetase tjetër në një studio ligjore që ofron konsulencë e shërbime juridike. Evidentohen raste kur kjo studio ofronte konsulencë ligjore dhe përfitonte pagesa nga disa kompani të huaja kryesisht në fushën e prodhimit të energjisë dhe hidrokarbureve të cilat ushtrojnë aktivitet në Shqipëri me vendime qeverie te firmosura nga kryeministri  i kohës Sali Berisha.

Në dosje thuhet se,  këto kompani kanë siguruar lejen për të ushtruar aktivitet në Shqipëri nëpërmjet vendimit të këshillit të ministrave të firmosur nga Sali Berisha. I tillë është edhe rasti i kompanisë ASG Power Albania që drejtohej nga shtetasi Fatmir Bektashi, ish-pronar dhe ndërtues në truallin e ish-kompleksit Partizanit.

DOSJA E SPAK

“Shoqëria ASG Power Albania rezulton se ka si administrator shtetasin Fatmir Bektashi, dhe referuar VKM nr 778 date 14.11.2007 të nënshkruar nga kryeministri i kohës, shtetasi Sali Berisha, i është miratuar leja për ndërtimin dhe shfrytezimin e linjes tregtare me rryme të vazhduar, të interkonjeksionit Seman (Shgipëri) – Foxhia (Itali), leje kjo e leshuar nga ministri i Ekonomisë”.

Por nga hetimet janë zbuluar edhe  prova të fshehjes së pasurisë të anëtarëve të familjes Berisha. Sipas SPAK gjatë vitit 2005 Shkëlzen Berisha, ka deklaruar se punonte si ndihmës ligjor në studion e së motrës dhe paguhej 2 mije euro në muaj, por nga shkresat e sekuestruara rezulton se në të njëjtën periudhë kohore Argita Malltezi deklaronte zero fitime.

DOSJA E SPAK

“Shkëlzen Berisha, për vitin 2005 deklaron se ka të ardhura nga puna si konsulent pranë av. Argita Malltezi, në shumën prej 2 000 euro në muaj. Por sjellim në vëmendje se në vitin 2005 shtetesja Argita Malitezi vetë nuk deklaron të ardhura”

Po ashtu në dosjen e SPAK thuhet se vajza e ish-kryeministrit, ka përfituar një apartament 95 m2, në kohën që shtetasi Sali Berisha ka qenë President i Republikës së Shqipërisë, ku në listën përkatëse të përfituesve, evidentohen disa shoqërues dhe shtetasi Jamarbër Malltezi. Kështu rezulton se me shkresën nr. 2114 datë 11.06.1996, të nënshkruar nga Kryetari i Këshillit të Ministrave, Aleksandër Meksi, i është përcjellë Bashkisë, EKB, Ministrisë së Ndërtimit, Presidencës dhe Ministrisë së Brendshme, duke i bërë me dije se, është miratuar lista nominale, për trajtim me banesë, të shtetasve si vijon: Pallati në rrugën Lidhja e Prizrenit shkalla 1: Besnik Murati – shoqërues; Jamarbër Malltezi jurist; Arjan Adhami shoqërues; Ndrea Prendi shoqërues; Ylli Pasha ndërlidhës; Mehmet Shkreli shofer, Izet Haxhia shoqërues, Agim Pasha shofer dhe Arben Rumniçi shoqërues.

Malltezi është identifikuar se do të marrë apartament 3+1 me nr 3 dhe garazh ndërkohë që dorëzon një apartament 1+1. Jamarbër dhe Argita Malltezi, kanë poseduar fillimisht një apartament 1+1 ndodhur në lagjen Ali Demi, me sipërfaqe të shfrytëzueshme 51.29 m2 të cilin  ia kanë shitur EKB-së, në shumën 802 273 lekë. Në vijim, me kontratë shitje apartamenti banimi me pagesë të njëhershme, datë 31.10.2000, të lidhur ndërmjet shtetasve Jamarbër, Argita dhe Nimetes, gjyshja e tij, dhe EKB- së, rezulton se EKB i ka shitur blerësve një apartament me nr 3, ndodhur në rrugën Lidhja e Prizrenit, me sipërfaqe  shfrytëzimi 93 m2.

SHTETI QË MBAN PREMTIMIN E INDIVIDIT

Një arkitekt i shoqërisë “Homeplan”, shoqërisë së Malltezit dhe Bektashit, ka qenë anëtar i KKRT se drejtuar nga Sali Berisha, kur u bë privatizimi i ish-kompleksit sportiv “Partizani”. Dosja e SPAK , tregon se Marin Biçoku ka marrë pronë pa pagesë në këtë vend për shërbimet e kryera Berishës dhe dhëndrit të tij.

Biçoku ka qenë lidhje e ngushte e familjes se ish-kryeministrit, ndërsa ka shoqëruar Liri Berishën në disa udhëtime jashtë vendit dhe ka punuar për ndërtimin e dy vilave në Farkë.

Nga ana tjetër Sali Berisha, rezulton të ketë marrë përsipër përmbushjen e kërkesave, duke pranuar shpërblimin që në vijim kalon në bashkësinë ligjore të familjes së vajzës së tij, Argita Malltezi nëpërmjet Jamarbër Malltezit.

Me shkresën e datës 23 nëntor 2022 drejtuar Studios “Pustina”, Xhimi Begeja i pakënaqur kur janë ndarë përfitimet është shprehur:

Xhimi Begeja

Ju besova verbërisht sepse Gita dhe Abi më garantuan qysh nga dita e parë ku studio e juaj të jetë garantuesja e ligjore dhe financiare në marrëveshjet e kontratat tona. Nuk kam qenë pengesë në asnjë moment të firmosja vetëm “letër të bardhë” sepse e konsideroja veten turp nëse nuk do ju besoja. Kam përshtypjen se ajo Gocë e Familjes nuk ka pas dhe as ka dijeni për situatën e krijuar tani mes nesh. Unë nuk e kam shqetësuar dhe nuk do e shqetësoj kurrë për hallin e madh që ka zënë, për aq më tepër ne si familje i kemi borxh të madh Familjes Berisha për shqetësimet që i kemi sjellë ku shkaktare është prona jonë…

VKM që mbajnë firmën e kryeministrit të kohës, Sali Berisha, kanë sjellë përfitime prej mijëra eurosh në llogaritë personale të Jamarbër Malltezit, në banka të ndryshme në Tiranë. Një prej tyre është hidrocentralit të Ashtës dhe të tjerë hidrocentrale. Sipas Prokurorisë së Posaçme, më 17 tetor të vitit 2008, Berisha miraton një VKM për ndërtimin, pronësinë, shfrytëzimin, mirëmbajtjen dhe transferimin e projektit të një hidrocentrali të ri në Ashtë, ndodhur në Bushat të Shkodrës. Sipas vendimit numër 170 datë 18.12.2012 Bordi i Komisionerëve të Entit Rregullator të Energjisë (ERE) prapë me urdhër të Sali Berishës vendos të miratojë edhe marrëveshjen e shitjes së energjisë mes KESH sh.a dhe Energji.

Ish-kryeministri Sali Berisha në atë periudhë  deklaronte se Hidrocentrali i Ashtës nuk e cenonte mjedisin. Në dosje shkruhet se “Përgjatë viteve konstatohet se shtetasi Ardian Shehu, për llogari të një marrëdhënie të shoqërisë Energji Ashta si më sipër të krijuar dhe të projektit të mësipërm rezulton se paguan shtetasin Jamarbër Malltezi si vijon:

Në vitin 2008 në llogarinë e Jamarbër Malltezit , Adrian Shehu ka derdhur 18.900 Euro

Në vitin 2009 në llogarinë e Jamarbër Malltezit, Adrian Shehu ka derdhur 8.820 Euro

Në vitin 2010 në llogarinë e Jamarbër Malltezit, Adrian Shehu ka derdhur 25.754 Euro

Në vitin 2011 në llogarinë e Jamarbër Malltezit, Adrian Shehu ka derdhur 12.1290 Euro

Në vitin 2012 në llogarinë e Jamarbër Malltezit, Adrian Shehu ka derdhur 7.985 Euro

Në vitin 2012 në llogarinë e Jamarbër Malltezit Adrian Shehu ka derdhur 5.760 Euro

Në vitin 2013 në llogarinë e Jamarbër Malltezit  Adrian Shehu ka derdhur 2.220 Euro.

Në total janë 81,595 euro të marra nga Jamarbër Malltezi.

Në dosjen e SPAK janë zbardhur detaje lidhur hetimet rreth kësaj çështjeje, ku vihet në dukje se, Jamarbër Malltezi dhe Argita Malltezi kanë blerë toka dhe ia kanë shitur Damir Fazlliç me çmim më të lartë. Këto transaksione, sipas SPAK, nuk janë deklaruar në IDLKPKI , pasi pagesat janë bërë dorazi.

DOSJA E SPAK

“Personi i ngarkuar nga Damir Fazlliç për marrëdhënie të ndryshme në Shqipëri ka qenë Flutura Kola, e cila evidentohet nga këto transaksione, pra blerjet dhe më pas shitjet e kryera. Është për t’u theksuar fakti se në akte përshkruhet se pagesat bëhen dorazi. Argita Malltezi evidentohet se ka nënshkruar kontratat e shitjes në drejtim të blerësit Damir Fazlliç bashkë me bashkëshortin e saj, megjithëse nuk i deklaron në IDLKPKI këto transaksione”.

Përfitimet e familjeve Berisha dhe Malltezi renditen me detaje në dosjen voluminoze të SPAK, që duke vënë në zbatim teorinë e ndjekjes së parave ka nisur të rrëzojë nga froni edhe ata më të fuqishmit. Këtë herë është radha e ish-kryeministrit Sali Berisha, dhëndrit dhe familjes së tij. Berisha që e nisi fushatën e vitit 2005 me sloganin “me duar të pastra”, por kur dorëzoi pushtetin në vitin 2013 duket se po rezulton me duar të bëra pis. Hetimet e SPAK provojnë përfitime marramendëse, që nga biletat e udhëtimeve, pagesat e fushatave, apartamente e çdo gjë tjetër. Të gjitha këto nëpërmjet dhëndrit të tij Jamarbër Malltezi, që si SPAK është prestanome i Sali Berishës. E thënë shqip, fytyra e tij./abcnews.al