“E rrezikshme të jesh president”, Trump flet për atentatin e dështuar ndaj tij

schedule15:37 - 18 Shtator, 2024

schedule 15:37 - 18 Shtator, 2024

“Të jesh president, është një biznes i rrezikshëm”. Kjo deklaratë vjen nga kandidati republikan për president të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, i cili bëri paraqitjen e parë publike që nga atentati i dytë ndaj tij të dielën.

Trump u shfaq në një takim elektoral në Michigan ku tha se gara për Shtëpinë e Bardhë ishte po aq e rrezikshme se sa garat me automjete të shpejta apo garat me dema.

“Është një biznes i rrezikshëm të jesh president. Ata mendojnë se gara me makinat e shpejta është e rrezikshme? Jo. Ata mendojnë se kalërimi me dem, është shumë i frikshëm, apo jo? Jo. Ky është një biznes i rrezikshëm dhe ne duhet ta mbajmë të sigurt. Vetëm presidentët e rëndësishëm qëllohen”, u shpreh ai.

Trump tha se kishte marrë një telefonatë nga rivalja Kamala Harris, pas tentativës për atentat në fushen e golfit. Të dy kandidatët i lanë shkurtimisht dallimet mënjanë gjatë bisedës që Trump e cilësoi si “shumë të këndshme”.

Por pavarësisht gjuhës në telefonatë, Kamala Harris gjatë një interviste televizive, e kritikoi Trumpin për retorikën e ashpër rreth emigrantëve në
Springfield.

“Burimet e zbatimit të ligjit po merren me kete cështje për shkak të këtyre kërcënimeve serioze që po lëshohen kundër një komuniteti që po jetonte një jetë produktive dhe të mirë përpara se të ndodhte kjo. Keto janë gënjeshtra të bazuara në pretendime të vjetra.”, tha Harris.

Të dyja palët po e shtojnë ritmin në fushatën e tyre pa ndonjë ndryshim në kalendar, pavarësisht atentatit të fundit ndaj Trumpit. Ky rast risolli sërish në vëmëndje faktin e shumëpërmenduar së fundmi se retorika e ashpër nga palët në fushatë po frymëzon aktet e dhunshme, siç kanë qenë dy atentatet ndaj kandidatit republikan, më i fundit nga të cilët fatmirësisht mbeti në tentativë.

Një ish-agjent i Shërbimit Sekret, tha për Associated Press se ngjarjet e së dielës tregojnë nevojën për shtim të personelit për mbrojtjen e ish-presidentit Trump.

“Ashtu siç e shoh unë, mendoj se ka mungesë personeli. Ata duhet të kenë një një lloj prezence super vigjilente në atë perimetër. Zbatimi i ligjit me më shumë makina Patrullës Kufitare apo edhe agjentë, kjo i pengon shkelësit. Nëse atyre u mungon vetëm fuqia punëtore, agjentët për të siguruar këtë vendndodhje, kjo është një çështje që duhet trajtuar.”, tha agjenti.

Edhe mbështetësit e ish presidentit amerikan thonë se për të garantuar sigurinë e Trump duhet të ketë më shumë agjentë të shërbimit të sigurisë në takimet e tij./abcnews.al

 

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!