Koha po i zbeh traditat, por disa zonja në fshatin Gziq, motra me njëra-tjetrën, po përpiqen t’i mbajnë ende gjallë.
Drane dhe Pashka, prej vitesh, realizojnë veshje popullore të zonës së Mirditës. Çdo detaj, qepje dhe qëndisje i bëjnë me dorë.
Përveç veshjeve të reja, në shtëpitë e tyre, ruajnë me shumë kujdes edhe punime që janë realizuar nga nëna dhe gjyshja e tyre.
Disa syresh janë mbi 100 vjeçare. Kanë qëndisur e thurrur që në moshë të vogël, por kur krijuan familje dhe lindi nevoja për të ardhura vendosën që pasionin ta kthenin në punë e biznes.
Veshjet e tyre janë pëlqyer dhe blerë nga shqiptarë e të huaj anë e kënd botës. Drania tregon pjesët më të rëndësishme të një kosumi mirditor.
Të veçanta janë çorapet e brezit që nusja i sillte me vete dhe përmes tyre ata që ende nuk e njihnin mësonin se sa nikoqire ishte.
Drane dhe Pashka, ashtu sikurse motrat e tjera qëndistare do ta ushqejnë pasionin e tyre deri sa të kenë mundësi fizike./abcnews.al