Ndoshta e kishte menduar, por padyshim e ndjeu fort.
Trajneri i kombëtares shqiptare, Silvinjo, ishte i mërzitur pas humbjes me Gjeorgjinë.
Jo vetëm sepse ishte e para e teknikut brazilian në arenën “Air Albania”, por sidomos sepse tregoi se Shqipëria nuk është aq e fortë sa u duk ndaj Ukrainës. Ndoshta duhej të ishte luajtur ndryshe.
“Ne e kemi thënë që kjo ndeshje do të ishte shumë e vështirë. Të gjitha ndeshjet janë të vështira, por kjo ishte veçanërisht shumë fizike. Gjeorgjia është skuadër e stërvitur shumë mirë, falë trajnerit të saj. Ai tha që edhe Shqipëria është skuadër shumë e mirë. E përsëris që të katra skuadrat e grupit tonë ishin në Europian, dhe Gjeorgjia ishte e vetmja që kaloi turin dhe luajti me Spanjën. Mundi Portugalinë. Ekip shumë I ashpër, e fortë fizikisht dhe me lojtarë shumë të mirë teknikisht. Për mua, ndeshja ishte për barazim sepse të dyja skuadrat ishin aty-aty, por futbolli nuk e njeh këtë logjikë. Pësuam gol, dhe më pas ishte e vështirë ta përmbysnim. Një duel shumë taktik, shumë e vështirë”.
Shqipëria jo vetëm humbi, por as nuk pati ndonjë gjuajtje në portë.
“U mërzita më shumë për humbjen, sesa për faktin se nuk gjetëm kuadratin. Ne u përpoqëm shumë. Patëm shumë gjuajtje, por ishin jashtë. Futbolli nuk është shkencë ekzakte, për fat të keq ose të mirë, nuk është I tillë. Ne duhet të kujtojmë ndeshjen në Çeki. Vendasit ishin në avantazh 1-0 deri 15 minuta para fundit. Bajrami shënoi një gol të madh. Një me një. Nuk është preciz futbolli. Gjuan 6 herë, jashtë. Ndoshta herën tjetër, në tetor, nëse gjuajmë një herë mund të shënojmë gol. Nëse gjuajmë prapë, mund të shënojmë sërish. Ne duhet të punojmë për të pasur kontrollin taktik dhe fizik. Për të luajtur me shpirt e me zemër. Kjo gjë nuk na ka munguar kurrë”.
Kombëtarja herë luan shumë mirë, dhe herë nuk godet asnjëherë portën.
“Ne nuk mund ta gjykojmë një skuadër për një ndeshje të vetme. Ka edhe diçka tjetër të rëndësishme. Asnjëra skuadër nuk rrezikoi, nuk bëri presing përpara, as ne dhe as ata. Të dyja skuadrat ishin rreshtuar shumë mirë, për të pritur dhe për të kundërsulmuar. Ata dinë të luajnë kështu, edhe ne dimë. Një ndeshje shumë e vështirë dhe taktike. E dija që skuadra që shënonte golin e parë, praktikisht e mbyllte ndeshjen, sepse ishte përballje shumë e fortë taktike”. /abcnews.al