UASHINGTON – Pekini e ka trajtuar vizitën e Këshilltarit të Shtëpisë së Bardhë për Sigurinë Kombëtare, Jake Sullivan, i cili po qëndron në Kinë këtë javë, me një qasje më miqësore, duke nënvizuar bashkëpunimin dhe kanalet e hapura të komunikimit ndërkohë që pretendon se Uashingtoni vazhdon të ketë qasje “të gabuar” ndaj politikave të Kinës.
Vizita tre ditore e zotit Sullivan në Pekin u përmbyll të enjten, pas takimeve me zyrtarët kinezë, përfshirë Presidentin Xi Jinping.
Në deklaratën pas takimit të zotit Sullivan të mërkurën me ministrin e Jashtëm kinez Wang Yi, Ministria e Jashtme e Kinës i quajti bisedimet “të sinqerta, përmbajtësore dhe konstruktive”, një fjali të cilës i bëri jehonë edhe Shtëpia e Bardhë në deklaratën e saj lidhur me takimin.
Zoti Sullivan është këshilltari i parë për sigurinë kombëtare i Shtëpisë së Bardhë që viziton Kinën pas tetë vitesh, një periudhë kjo gjatë të cilës kontaktet ndërmjet dy vendeve u bënë gjithnjë e më të diskutueshme rreth çështjeve si marrëdhëniet dypalëshe ushtarake, sigurisë kibernetike, spiunazhit dhe luftës në Ukrainë.
Ky ishte takimi i pestë e zotit Sullivan me zotin Wang që nga maji i vitit 2023. Në të kaluarën ata janë takuar në Bangkok, Vjenë, Uashington dhe Maltë. Por takimi i të mërkurës ishte i parë ndër një sërë bisedimesh ku Pekini përfshiu disa nga qëndrimet e palës amerikane në komunikatën për media.
“Shtetet e Bashkuara dhe Kina do të bashkëjetojnë në paqe në këtë planet për një kohë të gjatë”, u citua të ketë thënë zoti Sullivan në takim sipas deklaratës kineze për media. “Qëllimi i politikave amerikane është të gjejë një mënyrë që mundëson zhvillimin e qëndrueshëm të marrëdhënieve ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Kinës.”
Sipas deklaratës së Pekinit, zoti Sullivan i ka cilësuar marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve si një kombinim i bashkëpunimit dhe konkurrencës, cilësim ky është ka qenë edhe parimi thelbësor i strategjisë së administratës së Presidentit Biden ndaj Kinës.
Disa ekspertë thonë se fakti që Kina u ka dhënë hapësirë qëndrimeve amerikane sinjalizon një gatishmëri të shtuar të Pekinit për të punuar me Uashingtonin.
Profesori i shkencave politike në Universitetin e Çikagos, Dali Yang i tha Zërit të Amerikës se Kina më parë ka kundërshtuar cilësimin që administrata e Presidentit Biden i ka bërë marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve.
“Por si duket pala kineze tashmë është relativisht më e hapur ndaj pikëpamjeve amerikane”, thotë profesori Yang. “Ose të paktën Pekini është pajtuar që ky është një lloj qëndrimi amerikan me të cilin Kinës i duhet të ballafaqohet”.
Pas takimit me Ministrin Wang, zoti Sullivan mbajti një takim të veçantë me Presidenti Xi dhe zyrtarin e lartë të mbrojtjes Zhang Youxia. Këto takime u përqëndruan në tema që përfshin Tajvanin, Detin e Kinës së Jugut, politikat tregtare, sanksionet amerikane ndaj bizneseve dhe entiteteve kineze, konfliktet në Gazë dhe në Ukrainë.
Takimet dukeshin të përzemërta. Fotografitë dhe pamjet filmike të publikuara nga mediat shtetërore kineze treguan zotin Sullivan tek shtrëngonte duart me Presidentin Xi dhe zyrtarin Zhang, të cilët shfaqeshin duke buzëqeshur.
Qëndrimi “i gabuar” amerikan sipas teorisë së Pekinit
Përtej fytyrave të buzëqeshura dhe deklaratave për bashkëpunim, Pekini vazhdon ta krijojë përshtypjen se Shtetet e Bashkuara janë ato që duhet t’i përshtatin politikat e tyre dhe t’u afrohen qëndrimeve të Pekinit mbi çështjet.
Presidenti Xi i tha zotit Sullivan se Shtetet e Bashkuara duhet “të punojnë në të njëjtin drejtim me Kinën, ta shohin Kinën dhe zhvillimin e saj si diçka pozitive dhe racionale, që ta shohin zhvillimin e njëra-tjetrës si një mundësi e jo si një sfidë, si dhe të punojnë me Kinën për të gjetur një mënyrë të duhur që të dyja vendet të gëzojnë marrëdhënie të mira mes tyre”.
Zyrtari Zhang nxiti Shtetet e Bashkuara të “përmirësojnë përshtypjet e tyre strategjike ndaj Kinës” dhe të respektojnë “interesat themelore” të Kinës, duke ndërprerë shitjen e armëve Tajvanit dhe që “të mos shpërndajnë teori të rreme në Tajvan”.
Para vizitës së zotit Sullivan në Pekin, gazeta shtetërore kineze “Global Times”, botoi një editorial që kritikonte të menduarit “e gabuar”, sic shkruante, të Uashingtonit ndaj Kinës.
“Shtetet e Bashkuara duhet të ndryshojnë në mënyrë thelbësore përshtypjet e tyre për Kinën dhe pozicionimin e saj strategjik ndaj Kinës”, thuhej në artikull.
Analistët politikë në Kinë shkuan edhe më larg, duke i bërë thirrje Pekinit të vazhdojë të tregohet i rreptë.
Në një shkrim të profesorit të marrëdhënieve ndërkombëtare në Universitetin Fudan në Shangai Shen Yi, i cili ka një numër të madh ndjekësish në rrjete sociale, shkruhej se Shtetet e Bashkuara nuk janë në pozitë t’i parashtrojnë kërkesa Kinës për shkak të vështirësive ekonomike të brendshme të cilat, sipas tij, e kanë futur Uashingtonin në kurth.
“Kina duhet të ndihet mjaftueshëm e sigurtë se Shteteve të Bashkuara u duhet ndihma e saj”, shkruate ai. “Në këtë kornizë të re të të menduarit, ne kemi arsye të besojmë se Kina nuk ka nevojë të bëjë kompromis me Shtetet e Bashkuara”.
Këto qëndrime të ashpra, që shpesh janë shtyrë si teori nga Pekini dhe janë përvetësuar nga vëzhguesit dhe analistët në internet gjatë dekadës së fundit, vazhdojnë të jenë popullore në rrjetet sociale. Por profesori Yang nga Universiteti i Çikagos i tha Zërit të Amerikës se Pekini duket se po distancohet nga një retorikë e tillë.
“Në një kohë kur Kina përballet me një mori sfidash dhe kur udhëheqësit e Kinës duhet të ruajnë dhe të menaxhojnë marrëdhëniet ndërmjet Kinës dhe Shteteve të Bashkuara, atyre u duhet të mendojnë përtej deklaratave të forta” dhe qasjes së tillë, me synimin për të arritur ndonjë rezultat.
“Në fakt, të dyja palët kanë shumë interesa të përbashkëta”, thotë ai. /voa