Lufta tregtare, si ajo kino-amerikane dhe ajo në dukje më e butë midis Uashingtonit dhe Brukselit u iniciua fillimisht nga ish-presidenti i SHBA-së dhe aktualisht kadidati presidencial, Donald Trump.
Dhe tani ka shumë pikëpyetje nëse një përsëritje e luftës tregtare është e pashmangshme në rast të rizgjedhjes së Donald Trump dhe nëse do të ketë diçka të ngjashme në rast të zgjedhjes së Kamala Harris.
Lufta tregtare filloi në vitin 2018, kur Donald Trump vendosi tarifa 25% për mallrat kineze me vlerë 350 miliardë dollarë, rreth 65% e të gjitha mallrave kineze të importuara nga superfuqia në atë kohë, duke shkaktuar, natyrisht, hakmarrje nga Kina, raporton abcnews.al.
Megjithatë, në thelb, lufta tregtare nuk është ndalur asnjëherë, por është në lulëzim të plotë, pasi presidenti në largim i superfuqisë jo vetëm nuk hoqi tarifat dhe në përgjithësi politikën tregtare të paraardhësit të tij, por e forcoi pjesërisht.
Në maj, ai njoftoi se po rriste tarifat në 100% për importet e automjeteve elektrike kineze që, së bashku me energjinë diellore kineze, janë ndoshta kërcënimet më të mëdha për industritë perëndimore.
Vendimi i marrë pak ditë më parë nga BE për vendosjen e tarifave për importet e automjeteve elektrike kineze është vetëm kriza e fundit në fazën e tretë të luftës tregtare, e cila tashmë po merr karakteristikat e një lufte tregtare globale.
Përveç automjeteve elektrike, Uashingtoni ka rritur tarifat për importet kineze të çelikut, aluminit, komponentëve fotovoltaikë dhe shumë të tjera.
Taktikat e saj janë ndjekur nga Turqia, e cila ka rritur tarifat për automjetet elektrike kineze, dhe Pakistani, i cili gjithashtu ka rritur tarifat për importet e letrës dhe gomave kineze.
Në të njëjtën kohë, megjithatë, nuk përjashtohet që edhe vende të tjera të ndjekin të njëjtën rrugë. Që nga fillimi i korrikut, Kanadaja ka nisur hetimet për “praktikat e padrejta tregtare” të Kinës në industrinë e automjeteve elektrike, raporton abcnews.al.
India, e cila ka ndaluar investimet kineze në tokën e saj, po heton çmimet e ekskavatorëve kinezë të importuar dhe biokarburanteve kineze, ndërsa Argjentina dhe Vietnami po hetojnë politikën e çmimeve të importeve kineze të mikrovalës dhe turbinave me erë.
Edhe Brazili dhe Meksika, të cilat deri më tani kanë qenë tregje alternative për produktet e Kinës, kanë filluar të ndërmarrin hapa për të mbrojtur industritë e tyre vendase.
Kur Uashingtoni ose Brukseli vendosin tarifa për produktet kineze ose marrin ndonjë masë tjetër, Pekini reagon shumë shpejtë. Vetëm një ditë pas vendimit të BE-së. për të vendosur tarifa 36.3% për automjetet elektrike kineze, njoftoi se po heton subvencionet për produktet europiane të qumështit.
Kina po synon produktet europiane të qumështit dhe ka nisur hetimet për skemat europiane të subvencionimit.
Ka pasur njoftime të mëparshme për një sërë hetimesh nga autoritetet kineze për produktet bujqësore të BE-së, por këtë herë hetimet do të fokusohen në 20 skema subvencionimi në të gjithë BE-në dhe në veçanti do të ketë të bëjë me djathrat, kremrat dhe qumështin e prodhuar në Austri, Belgjikë, Kroaci, Republikën Çeke, Finlandë, Itali, Irlandë dhe Rumani.
Si BE ashtu edhe SHBA-ja, megjithatë, e kanë cilësuar si një kërcënim të madh automjetet elektrike të lira të Kinës që po mbushin tregjet e tyre, duke shkatëtuar përçarje në industrinë e tyre.
Masa e tarifave për makinat kineze ka përçarë, natyrisht, shtetet anëtare të BE-së, pasi nuk i sjell dobi kryesisht ekonomisë më të madhe europiane, Gjermanisë, prodhuesit e makinave të së cilës bëjnë rreth një të tretën e të gjitha shitjeve të tyre në Kinë.
Dhe tarifat për prodhimin kinez do të prekin jo vetëm industritë kineze, por edhe ato perëndimore si BMW gjermane.
Megjithatë, argumenti nuk ishte i mjaftueshëm për të penguar vendimin e BE-së, t’i vendoste MG Saic Motor, Geely dhe BYD të Kinës tarifa shtesë përkatësisht 36.3%, 19.3% dhe 17%, pasi premtimi i bërë nga Komisioni në takimin e tij me përfaqësuesit e Kinës, në fillim të korrikut, nuk mundi të përmbushej.
Arsyeja nuk është tjetër veçse politika e Pekinit, e cila konsiston në një mbështetje të vazhdueshme dhe aktive ekonomike të industrive kineze, të cilën e ka intensifikuar më tej në dy vitet e fundit, pas kolapsit të tregut kinez të pasurive të paluajtshme dhe pasojave të tij në ekonominë e gjerë, raporton abcnews.al.
Që nga fundi i vitit 2021, bankat kineze kanë ulur në mënyrë drastike kreditë për kompanitë e ndërtimit dhe kontraktimit, ndërsa kanë rritur kredinë për industritë kineze me 63%.
Tregues i mbështetjes që Pekini ofron për industritë e automjeteve elektrike është rasti i industrisë kineze të baterive për automjetet elektrike CATL, e cila në vitin e kaluar mori subvencione në vlerën e rreth 790 milionë dollarëve, një shumë që është dyfishi i shumës korresponduese që kishte marrë një vit më parë.
“Pavarësisht nëse Trump apo Harris fiton, dhe le të shpresojmë që Harris dhe demokratët të fitojnë, prioriteti i Amerikës do të mbetet siguria ekonomike, konkurrueshmëria e industrisë vendase dhe industrializimi. Dhe e njëjta gjë do të jetë e vërtetë për Europën”, tha John Clarke, negociator tregtar i Komisionit dhe ish-kreu i delegacionit të BE-së. në Organizatën Botërore të Tregtisë.
Ai tha se “politika e proteksionizmit do të jetë më agresive nëse Trump rizgjedhet”.
Donald Trump është ai që ka arritur tarifat 365% për disa importe kineze si, për shembull, disa komponentë alumini. Dhe ai ka premtuar se nëse rizgjedhet do të vendosë tarifa shtesë prej 60% për të gjitha mallrat kineze dhe 10% për të gjitha importet pa përjashtim, gjë që do të dëmtojë industritë europiane.
Shumë kompani amerikane kanë ngrirë tashmë planet e tyre të investimeve nga frika e tarifave shtesë për pjesët dhe produktet, veçanërisht ato që vijnë nga Kina. Ata supozojnë se nëse Trump rizgjidhet, do të ketë probleme serioze në tregtinë ndërkombëtare, por e konsiderojnë po aq të sigurt se nëse zgjidhet Kamala Harris, lufta tregtare me Kinën do të vazhdojë.
Për sa i përket marrëdhënieve tregtare mes dy palëve të Atlantikut, zgjedhja e Kamala Harris nuk pritet të zgjidhë problemet. Kjo pasi Harris do të vazhdojë politikën e Joe Biden, i cili i qëndroi besnik politikës tregtare të Donald Trump.
Joe Biden mbajti në fuqi tarifat që Trump vendosi në 2018 për produktet europiane të çelikut dhe aluminit. Në fund të fundit, Trump ka bllokuar emërimin e gjyqtarëve të rinj në OBT pas përfundimit të mandateve të tyre, duke zhvlerësuar efektivisht organizmin ndërkombëtar dhe duke e bërë të pamundur rolin e tij ndërmjetësues, por Joe Biden nuk ka bërë asgjë për të ndryshuar situatën dhe OBT pothuajse është inekzistente.
Nëse ka një gjë ku Kamala Harris ndryshon nga Biden në tregti, është në çështjet e marrëveshjeve të tregtisë ndërkombëtare, që duket se e afron atë me Trump.
Që nga viti 2016, ajo ka shprehur rezerva për marrëveshjet e tregtisë së lirë, ndërsa si senatore kundërshtoi marrëveshjen e tregtisë së lirë TPP, e cila ishte lidhur me vendet e Paqësorit nga administrata e atëhershme Obama, raporton abcnews.al.
Harris argumentoi se marrëveshja nuk bëri asgjë për të mbrojtur punëtorët amerikanë apo mjedisin. Gjatë fushatës zgjedhore 2020, ajo mohoi kategorikisht se ishte proteksioniste, por pranoi se nuk do të kishte votuar për NAFTA-n.
I pyetur se çfarë mund të ndryshojë në marrëdhëniet e BE-së, me SHBA-në në rast të zgjedhjes së Kamala Harris, Francesco Nicoli, profesor i Shkencave Politike në Universitetin Politeknik të Torinos, parashikoi se BE ndoshta do të vazhdojë të ndjekë një politikë industriale të pjesshme dhe të kundërshtojë SHBA-në po aq sa Kinën, dhe zgjedhja e Harris nuk do ta ndryshojë këtë.
Rreth 230 miliardë dollarë janë miratuar nga Pekini midis 2009 dhe 2023 për industrinë kineze të automjeteve elektrike.
Duke reaguar ndaj vendimit të Kinës për të kryer hetime për subvencionet europiane në produktet e qumështit, përfaqësuesi i Komisionit, Olof Gill, theksoi se BE do të mbrojë interesat e industrisë europiane të qumështit dhe të politikës së përbashkët bujqësore dhe do të ndërmarrë ndërhyrjet e nevojshme për të siguruar që hetimet të jenë plotësisht në përputhje me rregullat e OBT-së.”
Suficiti tregtar i Kinës ishte 100 miliardë dollarë në qershor falë eksporteve në BE dhe në Azinë Juglindore.
Kim Lee, analist kinez theksoi se “vlera kumulative e eksporteve të derrit dhe qumështit të BE-së në Kinë, e cila mund të jetë subjekt i tarifave, është më pak se vlera e baterive të automjeteve elektrike të eksportuara nga Kina në BE dhe vlerësohet se arritën rreth 13.5 miliardë dollarë në vitin 2023”.
/abcnews.al