Mijëra njerëz hodhën mbi 120 tonë domate mbi njëri-tjetrin në festivalin “La Tomatina”, i cili u mbajt për herë të 77 këtë vit në qytezën Bunol, afër qytetit të Valencias në lindje të Spanjës.
Edhe pse festivali “La Tomatina” ishte i ndaluar për një kohë, ka qenë një traditë në Bunol që nga viti 1945 dhe zhvillohet të mërkurën e fundit të çdo gushti, traditë që lyen me të kuqe edhe këtë vit rrugët e qytezës.
Në kuadër të festivalit, i cili u mbajt në qendër të qytezës ku hyrja ishte 15 euro, më shumë se 120 tonë domate u sollën në qendër të qytezës me 7 kamionë. Rreth 22 mijë persona morën pjesë në festival, ku ndër të tjerash këtë vit u shitën edhe bileta VIP me nga 500 euro.
“Lufta me domate” e pjesëmarrësve, të cilët u argëtuan duke i hedhur njëri-tjetrit domate të derdhura në pika të caktuara të qytezës, zgjati rreth 2 orë.
Ata që kanë kaluar kontrollin e sigurisë dhe kanë hyrë në rrugët ku ka ndodhur “përleshja me domate”, nuk u lejohet të kenë me vete sende të mprehta apo të forta.
Në fund të aktivitetit punonjësit e pastrimit pastruan rrugët e qytezës.
Nuk dihet se si ka filluar festivali
Nuk ka informacion të qartë se si ka nisur festivali “La Tomatina”, i cili mbahet çdo vit të mërkurën e fundit të gushtit në qytezën e Bunolit. Sipas gojëdhënave më të zakonshme, fillimi i “La Tomatina” ka qenë kur palët kanë nisur të hedhin perime dhe fruta nga tezgat e tyre ndaj njëri-tjetrit në një mosmarrëveshje midis fqinjëve në Bunol në vitin 1945.
Ndonëse festivali u ndalua në fillim të viteve 1950, disa të rinj vazhduan festimet dhe disa pjesëmarrës madje u arrestuan sepse i hodhën domate njëri-tjetrit. Populli organizoi një aksion të quajtur “funerali i domates” në vitin 1957 për të protestuar kundër rifillimit të festivalit, e më pas pushteti vendor rifilloi “La Tomatina” dhe e shpalli këtë ditë një festë zyrtare në qytezë.
“La Tomatina” u shpall “vlera turistike ndërkombëtare” e Spanjës nga Ministria e Turizmit në vitin 2002.