Presidenti Begaj takohet me zv.kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, në qendër të bisedimeve bashkëpunimi mes dy vendeve

schedule11:27 - 28 Gusht, 2024

schedule 11:27 - 28 Gusht, 2024

Presidenti Bajram Begaj, priti këtë të mërkurë në një takim Zëvendëskryeministrin e Parë dhe Ministër i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Izet Mexhiti.

Gjatë bisedës u vlerësua bashkëpunimi i deritanishëm dhe u nënvizua nevoja për thellimin e marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut në ekonomi, shkëmbimet tregtare, infrastrukturë, turizëm e kulturë, si dhe bashkëpunimi për avancimin e procesit të integrimin evropian e të nismave të bashkëpunimit rajonal.

Presidenti Begaj vlerësoi rolin e patjetërsueshëm të faktorit shqiptar në Maqedoninë e Veriut për paqen, sigurinë, zhvillimin e qëndrueshëm dhe orientimin e palëkundur Euroatlantik, së pari për vetë vendin, e më tej për Ballkanin Perëndimor. Po ashtu, në takim u theksua rëndësia e një angazhimi të përbashkët për të avancuar me tej procesin e integrimit në BE.

Presidenti i Republikës rikonfirmoi angazhimin e tij të plotë për një bashkëpunim produktiv e të vazhdueshëm, si dhe mbështetjen ndaj shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut.

Presidenti Begaj theksoi rëndësinë e forcimit të përfaqësimit politik të shqiptarëve në nivele të larta të qeverisjes se vendit, apo edhe ato lokale, si një përgjegjësi e drejtpërdrejtë ndaj qytetarëve për garantimin dhe respektimin e të drejtave të tyre./abcnews.al