Koreja e Veriut ka dislokuar 250 raketahedhës balistikë në kufijtë jugorë, teksa lideri Kim Jong Un i ka përshkruar këto armë si “shpatë e fuqishme dhe e çmuar” për të mbrojtur sovranitetin e shtetit të tij.
Raketahedhësit u shfaqën gjatë një ceremonie “transferimi” në kryeqytetin e Koresë së Veriut, Phenian, të dielën, raportoi më 5 gusht media shtetërore verikoreane.
Raketahedhësit janë “armë të përditësuara për sulme taktike”, citohet të ketë thënë Kim.
Kjo është hera e parë që Koreja e Veriut bëri publike numrin e armëve të transferuara në kufi, tha për AFP-në, Han Kwon-hee, nga Shoqata koreane e Studimeve të Industrisë së Mbrojtjes.
Këto lloje raketahedhësish janë të dizajnuar të mbajë katër raketa, tha Han, duke shtuar se furnizimi me armë i Phenianit për Moskën “mund të ketë ndërhyrë në aftësitë e Veriut që të arrijë të prodhojë 1.000 raketa”.