Policia britanike: Dhuna ndaj grave emergjencë kombëtare

schedule20:00 - 23 Korrik, 2024

schedule 20:00 - 23 Korrik, 2024

Dhuna ndaj grave dhe vajzave ka arritur “nivele epidemike” dhe policia po e trajton si një kërcënim i përmasave të njëjta me terrorizmin, thanë të martën drejtuesit e policisë britanike.

Mbi 1 milion krime të dhunshme ndaj grave dhe vajzave janë regjistruar nga policia britanike gjatë periudhës 2022-2023. Këto janë sa një e pesta e të gjitha krimeve të regjistruara, thuhet në një raport të ri të qarkulluar nga Këshilli Kombëtar i Shefave të Policisë dhe Kolegji i Policisë.

Një në gjashtë vrasje gjatë kësaj periudhe është e lidhur me dhunën në familje. Të paktën një në çdo 12 gra janë viktima të krimeve si dhuna seksuale, përdhunimi, përndjekja, ngacmimi apo abuzimi në internet, vlerësohet në raport, ndërsa mendohet se numri i vërtetë mund të jetë shumë më i lartë për shkak të krimeve që nuk raportohen.

“Dhuna ndaj grave dhe vajzave është një emergjencë kombëtare”, tha në një deklaratë zv.shefja e policisë Maggie Blyth. “Duhet të marrim masa si shoqëri që t’i ndryshojmë gjërat dhe nuk mund ta pranojmë më si të pashmangshme dhunën ndaj grave dhe vajzave”.

Zonja Blyth shtoi se shifrat ishin “tronditëse” dhe se po shtoheshin përmasat dhe kompleksiteti i rasteve çdo vit. Krimet e tilla janë rritur me 37% nga viti 2018 deri në vitin 2022.

Vitin e kaluar, qeveria e Britanisë e klasifikoi dhunën ndaj grave dhe vajzave si një rrezik kombëtar ndaj sigurisë publike dhe forcat e policisë u udhëzuan të reagojnë me përparësi ndaj raste të tilla, ashtu siç veprohet për terrorizmin dhe krimin e organizuar.

Raporti thotë se mijëra oficerë policie kanë ndjekur programe të reja trajnimi për hetimin e përdhunimeve dhe shkeljeve të tjera seksuale gjatë vitit të fundit.

Por, zonja Blyth tha se kjo nuk mjafton dhe bëri thirrje për mbështetje më të madhe nga qeveria për sistemin e drejtësisë penale që është “i mbingarkuar dhe nuk jep rezultatet e duhura për viktimat”./voa