Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme të Kosovës, Ekrem Mustafa, nuk ka marrë përgjegjësinë për skandalin e vjedhjes së identiteteve të kosovarëve dhe lehtësinë me të cilën kriminelë të kërkuar nga Interpoli janë pajisur me dokumente zyrtare të Kosovës.
Ministri i brendshëm në detyrë në Kosovë, Ekrem Mustafa, ka thënë për mediat në Kosovë se Ministria e Punëve të Brendshme nuk i ka lëshuar nënshtetësitë dhe ka fajësuar zyret në komuna për këtë skandal. Mustafa tha për Insajder se ata që kanë lëshuar dokumente nëpër komuna janë nën hetim dhe se Ministria e Brendshme nuk ka lëshuar nënshtetësi te këta persona. Mustafa shtoi se Ministria e Punëve të Brendshme nuk mund të refuzonte dokumentet që sipas tij janë lëshuar nga komunat.
Por, kjo ministri ka sistemin AFIS, i cili ka për qëllim identifikimin automatik të gjurmëve të gishtërinjve dhe fotografisë. Por pavarësisht kësaj, të paktën dy persona, Nejdet Cesuroglu dhe Iskender Sale, të kërkuar nga Interpoli, kishin marrë nënshtetësitë me nga dy identitete.
Mustafa tha se komunat iu kishin dhënë atyre certifikata, nënshtetësi, dhe se Ministria e Brendshme nuk mund ti refuzonte sepse ata kishin tashmë dokumente origjinale dhe ishin regjistruar edhe në librat e amzës.
Insajder raportoi se të paktën tre trafikantë droge, një vrasës me pagesë, dhe një e dënuar me dhjetë vjet burg në Turqi, kanë arritur të bëhen shtetas të Kosovës, duke u pajisur me të gjitha dokumentet. Nejdet Cesuroglu ishte njëri prej tyre; ai u gjet i vdekur në Prishtinë dhe në banesën e tij u gjetën 113 kilogramë heroine. Ai kishte marrë dy identitete në Kosovë, njërin me emrin Lavdim Nimani dhe tjetrin me emrin Lulzim Shalja. Një tjetër qytetar turk, Iskender Sale, kishte marrë po ashtu dy identitete, Xhemaj Shala dhe Skender Sheremeti. Vrasësi malazez, Mario Millosheviç, kishte marrë shtetësinë kosovare me emrin Miroslav Kostiç. Ndërkaq, turkja Ozden Gur, kishte marrë shtetësi me emrin Filloreta Rama. /abcnews.al