Elon Musk thotë se kolapsi global në sistemet dixhitale është një dështim i madh. Manjati amerikan komentoi shkurtimisht në një postim kaosin e shkaktuar nga një gabim në përditësimin e softuesit të kompanisë së sigurisë kibernetike CrowdStrike në sistemet elektronike.
Duke komentuar në një postim të Financial Times për problemet e shumta në transportin ajror në mbarë botën për shkak të kolapsit, ai shkroi: “Dështimi më i madh i IT“.
Manjati i teknologjisë nuk u ndal me kaq pasi më vonë vazhdoi në një postim tjetër duke ironizuar se “antivirusi ishte virusi”.
Microsoft njoftoi pak kohë më parë se “shkaku themelor” i ndërprerjes masive në sistemet elektronike është rregulluar për aplikimet e tij, por “efektet e mbetura” vazhdojnë të prekin disa shërbime.
Kompania më parë tha se problemi ishte për shkak të “një përditësimi nga një platformë softuerësh e palëve të treta”, duke cituar firmën e sigurisë Crowdstrike./abcnews.al