Fleksibilitet i orarit të punës, propozim i ministres Adea Pirdeni për administratën publike

schedule19:37 - 16 Korrik, 2024

schedule 19:37 - 16 Korrik, 2024

Ministrja e Shtetit për administratën publike ka propozuar një draft të ri për orarin e punës në institucionet publike.

Ndryshimet e reja ligjore të propozuara nga Adea Pirdeni sjellin për herë të parë konceptin e orarit fleksibël gjatë punës në administratë.

Projektvendimi parashikon që brenda kohëzgjatjes ditore të punës të punësuarit të kenë mundësinë të zgjedhin vetë oraret se kur duhet të kryejnë orët e plota të ditës së punës, duke caktuar një fashë orare kur të gjithë nëpunësit duhet të jenë në punë.

Institucioneve u propozohet specifikisht që kohëzgjatja ditore e punës të jetë 8 orë e 30 minuta nga e hëna në të enjte dhe ditën e premte 6 orë.

Fasha e detyrueshme orare kur të gjithë nëpunësit duhet të jenë në vendet e tyre të punës, të jetë çdo ditë nga ora 9:30 deri në 15:30, ndërsa ditën e premte nga ora 9:30 deri në 13:00. Jashtë këtij orari detyrues punonjësit kanë mundësinë të plotësojnë ditën e punës në oraret që i zgjedhin vetë ose para orës 9.30 të mëngjesit, ose pas orës 15.30 të pasdites.

Sipas Ministrit të Shtetit për Administratën Publike, fleksibiliteti në orarin e punës ka qenë një kërkesë kryesore e shprehur nga punonjësit e administratës, me qëllim krijimin e një mjedisi pune më mbështetës për të gjithë.

Kjo iniciativë vjen si përgjigje për të përmirësuar fleksibilitetin dhe efikasitetin në administratën publike, duke reflektuar nevojat e punonjësve për një orar më të përshtatshëm dhe një balancim më të mirë të jetës dhe punës.

/abcnews.al/