Shtëpia e Bardhë: Biden nuk po trajtohet për sëmundjen e Parkinsonit

schedule22:04 - 8 Korrik, 2024

schedule 22:04 - 8 Korrik, 2024

Presidenti amerikan Joe Biden nuk po trajtohet për sëmundjen e Parkinsonit, tha Shtëpia e Bardhë të hënën, pasi u shfaqën raporte se një mjek i specializuar për sëmundjen kishte vizituar Shtëpinë e Bardhë tetë herë gjatë vitit të kaluar.

Shqetësimet se presidenti mund të vuante nga një sëmundje e pazbuluar janë rritur që kur Biden hasi problematika në debatin e tij të 27 qershorit me republikanin Donald Trump.

New York Times tha se regjistrat e vizitorëve të Shtëpisë së Bardhë tregojnë se Dr. Kevin Cannard, një neurolog i specializuar në çrregullimet e lëvizjes dhe së fundmi botoi një punim mbi Parkinsonin, vizitoi Shtëpinë e Bardhë tetë herë nga vera e kaluar deri në pranverën e këtij viti.

Gjatë një konference, sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Karine Jean-Pierre refuzoi të konfirmonte vizitën e Cannard, duke thënë se ajo dëshironte të respektonte privatësinë e të gjithë të përfshirëve për arsye sigurie.

Ajo tha se Biden kishte vizituar një neurolog tre herë në lidhje me testet fizike vjetore të Biden. Ajo tha se Biden nuk po trajtohej për Parkinson./abcnews.al