Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara do të mblidhet të martën në një takim, për të diskutuar sulmet e dy ditëve të fundit në Ukrainë, të cilat lanë të vrarë së paku 36 persona.
Takimi do të zhvillohet me kërkesë të Britanisë, Francës, Ekuadorit, Sllovenisë dhe SHBA-së.
“Ne do ta dënojmë sulmin frikacak të Rusisë në spital”, tha përfaqësuesja e përhershme e Mbretërisë së Bashkuar në Kombet e Bashkuara, Barbara Woodward.
Spitali i Fëmijëve Ohmatdyt, që është objekti më i madh i pediatrisë në Ukrainë, u sulmua të dielën vonë.
Dy njerëz të rritur mbetën të vrarë në sulm.
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, tha se Rusia e ka sulmuar qëllimisht Spitalin Ohmatdyt, të cilin ai e ka përshkruar si ndër spitalet më të rëndësishme për fëmijë në Evropë dhe në Ukrainë.