“Shenja bojkoti nga opozita në Himarë”, Nazarko: Amnisti për zgjidhjen e krizës? Beleri synon ta sfidojë Shqipërinë në Strasburg

schedule19:49 - 8 Korrik, 2024

schedule 19:49 - 8 Korrik, 2024

Analisti Mentor Nazarko tha se opozita po shfaq shenjat e bojkotit të zgjedhjeve në Himarë. Në një intervistë për ABC News, analisti u shpreh se Greqia do të donte që ta problematizonte situatën në Himarë “nëpërmjet një bojkoti që do të ishte një sfidë e fortë edhe për shtetin shqiptar.”

“Kjo padi mendoj se është bërë me ndihmën e PD, e cila në momentin e parë, pasi presidenti shpalli zgjedhjet, i vënë në lëvizje nga shkresa e kryeministrisë pas vendimit të KQZ, atëherë PD reshtoi një sërë argumentesh legalë që janë pjesë e padisë së Belerit. Nga bashkimi i kësaj ndërmarrje juridike të PD, që është duke theksuar se edhe në këtë zgjedhje do të jetë aleate me PDBNJ, kemi këtë padi. Ajo që shoh pas kësaj padie, që ishte e fortë dhe atakonte një pjesë të institucioneve të shtetit shqiptar, shoh rrezikun e një bojkoti sepse duket që qoftë në fjalët e Belerit apo qëndrimet e PD, duket frika që zhvillimi kaq i shpejtë i zgjedhjeve në Himarë, nisur edhe historiku elektoral i asaj zone, e favorizon të majtën. Në këto rrethana, mendoj se Greqia që qëndron pas Belerit paturpësisht apo publikisht, do të dëshironte që ta problematizonte situatën në Himarë nëpërmjet një bojkoti që do të ishte një sfidë e fortë edhe për shtetin shqiptar.”, tha Nazarko.

Duke komentuar kërkesën e Belerit për të marrë pjesë në seancën e parë të PE-së në Strasburg dhe mundësinë e një ‘amnistie’ nga shteti shqiptar, Nazarko shtoi:

“Shteti shqiptar mund ta bënte por nuk do të ishte asnjë problem por afërmendsh që Beleri me ndihmën e Greqisë, juristëve më të mirë të Greqisë, që e vizituan në burg, synon që ta sfidojë Shqipërinë në gjykatën e Strasburgut për prekje apo cenim të dy të drejtave siç  u duk edhe në qëndrimin e tij të fundit në KQZ: cenimin e të drejtës të zgjedhurit dhe të zgjedhjes. Ai u pengua që të votonte me arrestimin e tij, por edhe u pengua që ta zhvillonte mandatin e tij. Nëse Shqipëria do të adaptonte një standard të ndryshëm, pra ta lironte atë, qoftë edhe përkohësisht që të bënte betimin në PE, atëherë do të vendoste standard të disafishtë ndaj Belerit. Ai e tha këtë edhe në KQZ, siç më lejuat në seancën e KQZ, mund të më kishit lënë edhe të betohesha. Afërmendsh, në momentin që lejohet në PE, do ta përdorë këtë si argument, se sjellja e autoriteteve shqiptare, është një sjellje që ka qenë e përcaktuar politikisht. 

Amnistia apo falja do të duhej të bëhej nga presidenti i republikës dhe e shoh si një veprim tërësisht të arsyeshëm dhe që do të çmagjepste apo hiqte atë fitilin apo bombës me sahat në pikëpamjen juridike që qëndron pas çështjes Beleri në institucionet e drejtësisë evropiane. Çështja Beleri është zmadhuar kaq shumë për shkak të mungesës së reciprocitetit në avancimin e problemeve me karakter historik apo aktual që Greqia ka ndaj nesh. Në momentin që kemi qenë pasiv, Greqia ka avancuar duke krijuar një imunitet në Himarë por edhe duke krijuar një çështje me të cilën ne do të kemi ballafaqim në gjykatën evropiane. Çështja Beleri nuk mbyllet me shkuarjen e tij në PE.”, shtoi Nazarko./abcnews.al