Izraeli urdhëron evakuimin e qytetit të Gazës për të kryer “operacion kundër terrorizmit”

schedule14:07 - 8 Korrik, 2024

schedule 14:07 - 8 Korrik, 2024

Izraeli ka lëshuar një urdhër evakuimi për qytetin e Gazës, zonë kjo e cila është përballur me shkatërrim të gjerë që nga fillimi i luftës në enklavën palestineze.

Urdhri i evakuimit thuhet të tregojë një rritje të veprimeve ushtarake izraelite në qytet, me banorët që tashmë kanë raportuar për bombardime intensive në zonat lindore dhe jugore.

Ky lajm vjen pasi bisedimet për armëpushim pritet të rifillojnë këtë javë, me disa zyrtarë që thonë se shkatërrimi i shkaktuar nga ofensiva izraelite ka të ngjarë të ndihmojë në zbutjen e kërkesave të Hamasit.

Siç raportohet, Hamasi ka hequr dorë nga kërkesa e tij e kahershme që Izraeli t’i jap fund luftës përgjithmonë. E kjo lëvizje besohet të ketë ngjallur shpresa për përparim në negociatat e ndërmjetësuara ndërkombëtarisht.

Bëhet e ditur se qeverisja e pasluftës dhe kontrolli i sigurisë i enklavës kanë qenë gjithashtu çështje të diskutueshme.

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, u mburr se presioni ushtarak – përfshirë ofensivën e vazhdueshme dymujore të Izraelit në qytetin jugor të Gazës, Rafah – është ajo që e ka shtyrë Hamasin të hyjë në negociata.

Zyra e Netanyahut njoftoi se një ekip negociatorësh izraelitë do të rifillojnë bisedimet këtë javë për një armëpushim me Hamasin, duke sinjalizuar përparim drejt një marrëveshjeje për t’i dhënë fund luftës në Gazë.

Por ajo gjithashtu pranoi se ka “boshllëqe midis palëve”. Izraeli nisi luftën në Gazë pas sulmit të Hamasit më 7 tetor 2023, ku u vranë rreth 1200 njerëz, kryesisht civilë, dhe u rrëmbyen rreth 250 të tjerë.