Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali, ka reaguar në lidhje me vendimin më të fundit të presidentit të republikës Ilir Meta i cili dekretoi Marsida Xhaferllarin, për në Gjykatën Kushtetuese.
Sipas Spiropalit, Meta ka shkelur përsëri ligjin duke dekretuar një gjykatëse mbrapa liste. Gjithashtu Spiropali në reagimin e saj thotë se Presidenti më këtë dekretim tregoi frikën e tij nga drejtësia.
“Edhe njëherë Ilir Meta iu kundërvu Reformës në Drejtësi dhe Shteteve të Bashkuara e Bashkimit Europian, duke dekretuar kundër ligjit dhe kundër qëndrimit të tyre, me zero legjitimitet kushtetues e ligjor, një gjykatëse mbrapa liste.
Edhe njëherë kundërvënia brutale e Ilir Metës ndaj prioritetit themelor të vendit, drejtësisë, na bën të ndjehemi keq për Presidentin e Republikës. Edhe njëherë, Ilir Meta dha një shembull spektakolar për ta kuptuar kush ende nuk e ka kuptuar, se Reforma në Drejtësi ndan thellë e qartë shumicën qeverisëse dhe parlamentin e vendit, nga fronti i atyre që me në krye Ilir Metën, i bashkon kundër nesh Frika nga Drejtesia“, shkruan Spiropali./abcnews.al