Ministri i jashtëm rus Sergei Lavrov akuzoi Shtetet e Bashkuara të Amerikës se po pushtojnë zona të pasura me naftë në Siri, me qëllimin për t’i pasur nën kontroll të plotë.
Rusia kritikon Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilat sipas Moskës po vazhdojnë të pushtojnë zona të pasura me naftë në Siri, duke shkelur të drejtën ndërkombëtare. Deklarata u bë nga ministri i jashtëm rus Sergei Lavrov, në forumin e paqes në Paris.
Ai theksoi se Shtetet e Bashkuara të Amerikës po bëjnë të pamundurën për të krijuar strukturën e një të ashtuquajturi shtet dhe po u kërkojnë vendeve të Gjirit që të bëjnë investime të rëndësishme, në mënyrë që të mund të krijohet një administratë vendore në bazën e forcave demokratike siriane, të kurdëve, YPG-së dhe të tjerëve. Kjo me qëllimin shumë të qartë për të marrë një territor të caktuar nga Siria dhe për të kontrolluar rezervat e naftës.
Lavrov shtoi se Rusia nuk ka menduar asnjëherë për politikën e jashtme si një mënyrë për të kundërshtuar Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në lindjen e Mesme, Moska sipas tij, është e vetnja që flet me të gjithë, ashtu si në Siri, ku dialogu është ndërtuar me të gjithë: qeverinë, opozitën, kurdët dhe amerikanët.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës nisën tërheqjen e trupave ushtarake nga veri lindja e Sirisë në fillim të muajit tetor, duke shkaktuar zemërimin e kurdëve. Pak më oas, Turqia pushtoi territorin me objektivin për të krijuar një të ashtuquajtur zonë sigurie përgjatë kufirit, për një gjatësi prej 400 kilometrash.
Ndërkohë disa civilë mbetën të vrarë këtë të martë teksa protestonin kundër një pranisë ushtarake të patrullave të përbashkëta turko – ruse në qytetin Kobane në veri të Sirisë. Në disa filmime të publikuara në rrjetet sociale, shihen burra dhe gra të moshave të ndryshme që hedhin gurë kundër ushtarëve. Zëdhënësi i forcave demokratike siriane pohoi se ushtria turke kishte qëlluar ndaj manifestuesve duke i vrarë para syve të të gjithë botës. Turqia nga ana e saj i cilësoi manifestimet si një provokim duke shtuar se ishin marrë masa për sigurinë e civilëve, kundër manifestuesve terroristë./abcnews.al