Ministri izraelit i Mbrojtjes, Yoav Gallant i tha Sekretarit të Shtetit të SHBA Anthony Blinken se Izraeli do të preferonte një zgjidhje diplomatike të konfliktit me Hezbollahun, tha të martën zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Mattheë Miller.
Granatimet në kufirin verior të Izraelit, i cili ka detyruar mijëra njerëz të largohen nga shtëpitë e tyre në të dy anët e kufirit, janë përshkallëzuar javët e fundit, duke rritur frikën e një konflikti të gjithanshëm.
Më herët të martën, Sekretari i Mbrojtjes i SHBA-së, Lloyd Austin tha se Uashingtoni po punonte si çështje urgjente për një marrëveshje diplomatike që do t’i lejonte qytetarët izraelitë dhe libanezë të kthehen në shtëpitë e tyre në të dy anët e kufirit, duke paralajmëruar për “pasoja katastrofike” nëse do shpërthente një luftë e re mes Izraelit dhe Hezbollahut.
“Një luftë tjetër midis Izraelit dhe Hezbollahut mund të kthehet lehtësisht në një luftë rajonale, me pasoja shkatërruese për Lindjen e Mesme,” tha Austin.
“Diplomacia është mënyra më e mirë për të parandaluar përshkallëzimin e mëtejshëm. Prandaj, ne kërkojmë si çështje urgjente një marrëveshje diplomatike që do të rivendosë qetësinë e qëndrueshme në kufirin verior të Izraelit dhe do të lejojë civilët të kthehen të sigurt në shtëpitë e tyre në të dy anët e kufirit Izrael-Liban”, shtoi sekretari amerikan./abcnews.al