“Të Kaltërit” shpëtojnë në “frymën e fundit”, Italia “peshkon” Zvicrën në raundin e 1/16-ve

schedule23:06 - 24 Qershor, 2024

schedule 23:06 - 24 Qershor, 2024

Ishte një barazim me shumë fat. “Të Kaltërit” e Italisë kanë “blinduar” vendin e dytë, në Grupin B, të Euro 2024, teksa në përballjen e mbrëmjes së kësaj të hëne, në “Red Bull Arena”, të Lajpcigut arritën të barazonin në sekondat e fundit, sfidën ndaj Kroacisë, duke u ngjitur në kuotën e 4 pikëve.

Të parët e gjetën rrugën e rrjetës kroatët, të cilët në minutën e 55’-të nisën festën, falë “arkitektit” të mesfushës,  Luka Modric, i cili vendosi edhe një rekord, teksa shënoi golin në moshën 38-vjeçare, duke u bërë kështu lojtari më i vjetër në një Kampionat Evropian, që arrin diçka të tillë.

Në krahun tjetër, pas shumë e shumë tentativash për të ndëshkuar “Të Zjarrtët” e Ballkanit, erdhi edhe momentin e festës, pasi në minutën e 98’-të të lojës, anësori i Lazio, Mattia Zaçagni dërgoi në rrjetë një pasim të Calafiori, duke siguruar 1 pikë, pikë që siç theksuam e çon Italinë në kuotën e 4 pikëve dhe në fazën e ardhshme të këtij kompeticioni do të përballet me Zvicrën. /i.m /abcnews.al