Emri i kundërshtari mund të jetë i madh, mirëpo në sfidën ndaj Shqipërisë nuk do të kenë aspak lidhje, me Spanjën e dy ndeshjeve të para të Euro 2024, kjo pasi tekniku Luis de la Fuente ka vendosur të “formatojë” skuadrën, para sfidës me “Legjionarët”, me Spanjën që ka “blinduar” tashmë vendin e parë në Grupin B dhe pranon çdo rezultat kundër Kombëtares tonë.
Kështu, mungesat e radhës konfirmohen nga vetë mediat spanjolle, të cilat shkruajnë që përveç mungesave të Le Normand, i cili u la pushim nga vetë tekniku, Rodri, për shkak të kartonëve, Ayoze Perez i dëmtuar, tashmë do të mungojë edhe kapiteni i Real Madrid, Nacho Fernandez, me këtë të fundit që ka shfaqur probleme fizik dhe pritet ta shohë ndeshjen nga stoli.
Më tej në artikujt e mediave spanjolle thuhet se një mungesë e tillë do të vendoste në qendër të mbrojtjes, të formacionit titullar, dyshen “baske”, Aymeric Laporte-Dani Vivian, ndërsa në krahët e mbrojtjes pritet të jenë Jesus Navas e Grimaldo. Ndërakq, revolucion pritet të ketë edhe në reparte të tjera të fushë, ku tekniku De la Fuente pritet t’i japë minuta lojtarëve, si Joselu, Fermin Lopez, Dani Olmo e Martin Zubimendi. /i.m /abcnews.al