Tarifat e propozuara të BE-së për automjetet elektrike kineze do të dëmtojnë të dyja palët, tha kreu i agjencisë shtetërore të planifikimit të Kinës ministrit të ekonomisë së Gjermanisë, i cili po viziton Pekinin, sot, duke u zotuar të mbrojë kompanitë kineze.
Zheng Sanjie, kryetar i Komisionit Kombëtar të Zhvillimit dhe Reformës të Kinës, tha se ai shpresonte se Gjermania do të luante një rol udhëheqës brenda BE-së dhe “të bënte gjënë e duhur”.
Kina do të marrë të gjitha masat për të mbrojtur të drejtat dhe interesat legjitime të kompanive kineze, vuri në dukje Zheng gjatë takimit të tyre në Pekin.
Vizita e Habeck në Kinë është e para nga një zyrtar i lartë europian që kur Brukseli propozoi tarifa të larta për importet e automjeteve elektrike të prodhimit kinez për të luftuar atë që BE e sheh si subvencione të tepërta.
Kina paralajmëroi të premten përpara mbërritjes së ministrit gjerman të ekonomisë se përshkallëzimi i konfliktit tregtar me BE-në për automjetet elektrike të prodhuara në Kinë mund të ndezë një luftë tregtare.
“Është e rëndësishme të kuptohet se këto nuk janë tarifa ndëshkuese,” vuri në dukje Habeck gjatë takimit të tij me Zheng.
Vende të tilla si SHBA, Brazili dhe Turqia kanë përdorur tarifa ndëshkuese, por jo BE-ja, nënvizoi ministri gjerman i ekonomisë.
“Europa i bën gjërat ndryshe”, theksoi ai.
Për nëntë muaj, vazhdoi ai, Komisioni Europian shqyrtoi me shumë detaje nëse kompanitë kineze përfituan padrejtësisht nga subvencionet.
/abcnews.al