Një shqiptar është në mesin e të arrestuarve gjatë operacionit ndërkombëtar anti-drogë në Spanjë, ku u kapën 100 kg kokainë.
Kujtim Tanase, një ndër 12 të arrestuarit, ishte i shpallur në kërkim nga policia shqiptare si dyshuar në një vrasje.
Operacioni “Botnia” çoi në sekuestrimin e 100 kg kokainë, 400 mijë dollarë asete kripto dhe në arrestimin e 12 personave, 10 në Spanjë e 2 në Kolumbi.
Tanase rezulton person i shpallur në kërkim në Shqipëri për vrasje dhe ishte në pritje të ekstradimit. Bashkë me të është arrestuar i vëllai dhe krahu i tij i djathtë. Sipas mediave spanjolle grupi kriminal kërkoi ndihmë financiare nga grupi shqiptar për të financuar futjen në Spanjë të një sasie prej 100 kilogramësh kokainë nga Ekuadori.
Ministria e Brendshme Spanjolle e cilësoi operacionin si një “goditje të paprecedentë ndaj strukturës së një prej organizatave kriminale më të fuqishme ndërkombëtare”.