Kosova ka një ndeshje të rëndësishme me Çekinë më 14 nëntor, sfidë vendimtare për vendin e dytë në grup. Dardanët duan kualifikimin në Euro 2020, që do të ishte një mrekulli. Gjithsesi për të marrë rezultat pozitiv në Plzen, trajneri Bernard Challandes do të duhet të bëjë pa një prej lojtarëve më të rëndësishëm, sulmuesin Vedat Muriqi.
FFK ka konfirmuar mungesën e tij për shkak dëmtimi, edhe pse theksohet se lojtari i Fenerbahce ka bërë maksimumin që të rikuperohet për të qenë gati. “Sulmuesi i Kombëtares së Kosovës, Vedat Muriqi, nuk do të jetë në gjendje të luajë në ndeshjen kundër Çekisë, më 14 nëntor në Plzen.
Përkundër përpjekjeve maksimale dhe dëshirës së madhe të futbollistit për t’i ndihmuar bashkëlojtarët në këtë ndeshje të rëndësishme, pas ekzaminimeve të bëra mjekësore dhe konsultimeve edhe me ekspertë të kësaj fushe në Zvicër ka rezultuar që paraqitja e tij është e pamundshme të ndodhë. Për çdo ndryshim eventual në gjendjen e futbollistit do t’iu informojmë me kohë”, thuhet në njoftimin e FFK-së. /abcnews.al


