Zëdhënësi i Forcave të Armatosura izraelite (IDF), Daniel Hagari, shprehu mendimin të mërkurën, gjatë një interviste televizive me Channel 13, se ideologjia e Hamasit nuk mund të çrrënjoset dhe se lirimi i pengjeve është përmes një marrëveshjeje të shkëmbimit të të burgosurve.
Është hera e parë që nga fillimi i luftës midis Izraelit dhe Hamasit që një zyrtar i lartë izraelit ka shprehur publikisht pikëpamjen se lëvizja islamike palestineze “nuk mund të eliminohet “, duke sfiduar një nga qëllimet e deklaruara të luftës, siç përcaktohet nga kryeministri Benjamin Netanyahu.
“Hamasi është një ideologji, Hamasi është një parti politike. Ajo është e rrënjosur në zemrat e njerëzve. Kushdo që mendon se ne mund ta eliminojmë Hamasin është në deluzion. Hamasi është Vëllazëria Myslimane, ajo ka qenë aktive për shumë vite ”, tha zëdhënësi i IDF.
Ai argumentoi se e vetmja mënyrë për të dobësuar Hamasin është të ketë një udhëheqje të re në Rripin e Gazës.
“Nëse nuk sjellim diçka ndryshe në Gaza, do të përfundojmë me Hamasin,” paralajmëroi ai.
Kundëradmirali Hagari pranoi se është “e pamundur” të lirohen të gjithë pengjet e mbajtura në Rripin e Gazës nëpërmjet operacioneve ushtarake, duke shprehur pikëpamjen se duhet të zbatohet një plan shkëmbimi të burgosurish./abcnews.al