E drejta e autorit dhe përmbajtja e krijuar nga inteligjenca artificiale

schedule20:23 - 19 Qershor, 2024

schedule 20:23 - 19 Qershor, 2024

Artistë dhe krijues thonë se veprat e tyre janë përdorur për të ndërtuar industrinë e inteligjencës artificiale e cila përfiton miliarda dollarë, por pa u dhënë atyre asnjë kompensim. Korrespondenti i Zërit të Amerikës, Matt Dibble njofton mbi një projektligj i cili do t’i detyronte kompanitë e inteligjencës artificiale që të tregojnë se po përdorin një material për të cilin ekziston e drejta e autorit.

Artistja Karla Ortiz vizaton personazhe dhe skena për industrinë e filmit dhe televizionit.

“Këto janë disa nga krijimet që kam bërë për Panterën e Zezë”, thotë ajo.

E kërkuar nga klientët për aftësitë dhe stilin e saj të veçantë, zonja Ortiz u trondit kur zbuloi se sistemet e inteligjencës artificiale ishin projektuar që të prodhonin imazhe duke përdorur artin e saj dhe tani janë duke e simuluar atë.

“Është e paimagjinueshme. Sidomos sepse bëhet fjalë për një indrustri prej miliarda dollarësh që tani na konkurron neve”, shprehet artisjta Ortiz.

Shumë sisteme gjeneruese të inteligjecës artificiale janë krijuar duke përdorur sasi masive tekstesh dhe pamjesh të mbledhura nga interneti pa lejen ose dijeninë e personit apo kompanisë që ka të drejtën e autorit.

Zonja Ortiz ësht mes krijuesve dhe individëve që gëzojnë të drejtën e autorit që po e sfidon një praktikë të tillë përmes një sërë padish ndaj kompanive të inteligjencës artificiale.

Kompanitë e inteligjencës artificiale pretendojnë se mbledhja e të dhënave nga intereneti, të cilat janë publikisht të disponueshme është akt i ligjshëm, sipas parimeve të përdorimit të drejtë të ligjit amerikan mbi të drejtën e autorit.

Ndërsa procesi mbi këto raste vazhdon, Kongresi po shqyrton mundësinë që t’u kërkojë kompanive të inteligjencës artificiale që të zbulojnë burimin e secilës pjesë të përmbajtjes që kanë përdorur. Projektligji shihet si hapi i parë drejt kompensimit të individëve që kanë të drejtën e përmbajtjes.

“Ngjashëm me propozimet e paraqitura në Bashkimin Europian, projektligji që kam sjellë mbështet transparencën nga ana e kompanive, duke përcaktuar që ato të njoftojë mbi materiale të ndryshme për të cilat ekziston e drejta e autorit dhe të cilat janë përdorur në sistemet e inteligjencës artificiale, duke siguruar që krijuesit të jenë të informuar dhe të kenë në dispozicion mjetet e nevojshme për të kërkuar respektimin e të drejtës së autorit dhe kompensim, sipas rastit”.

Projekligji është mjaft i njohur pasi edhe grupet dhe sindikatat e industrisë krijuese po bëjnë thirrje për licencimin e sistemeve të inteligjencës artificiale që projektohen për të krijuar përmbajtje.

Profesori i drejtësisë në Universitetin Stanford, Mark Lemley, po përfaqëson dy kompani të inteligjencës artificiale në dy çështje që janë aktualisht në shqyrtim. Ai thotë se kompensimi është një objektiv i drejtë, por llogaritë nuk dalin.

“Merrni si shembull kompaninë që unë përfaqësoj, Stability AI. Ata veprojnë me 2 miliardë imazhe në bazën e të dhënave LAION, e gjithë kompania vlen 2 miliardë dollarë. Edhe nëse do të merrnim gjysmën e parave të kompanisë dhe do t’ua jepnim si kompesim artistëve apo krijuesve të tjerë, ata do merrnin vetëm pesëdhjetë cent.”

Projekligji që mbron të drejtën e autorit është i rëndësishëm për arsye që shkojnë përtej kompensimit, thotë eksperti i teknologjisë James Grimmelmann.

“Mendoj se është e dobishme që zhvillimi i inteligjencës artificiale të jetë më i kujdesshëm në lidhje me mbajtjen e të dhënave, duke ditur se cilat grupe të dhënash po përdoren, nga kanë ardhur, kush po i kontrollon për saktësinë dhe cilësinë. Një rregull që përcakton burimin mund të ndihmojë në vendosjen e standardeve më të larta të cilësisë në të gjithë industrinë”, shprehet ai.

Njësoj si moria e sfidave ligjore dhe etike që pasuan zhvillimin e inteligjencës artificiale, edhe se kur dhe si do të kompensohen ata që hodhën themelet e saj është një sfidë në vazhdim./VOA/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!