Vuçiç takon Lajçakun: Normalizimi ekziston përmes zbatimit të Marrëveshjes së Brukselit

schedule20:21 - 19 Qershor, 2024

schedule 20:21 - 19 Qershor, 2024

Presidenti serb Aleksandër Vuçiç tha të mërkurën pas një takimi në Beograd me të dërguarin e Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, se kthimi në dialog dhe normalizimi i marrëdhënieve mes dy vendeve fqinje ekziston përmes zbatimit të Marrëveshjes së Brukselit, duke përmendur themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Lajçak, në anën tjetër, tha se pati bisedë të “hapur” me liderin serb për gjendjen e tanishme të dialogut dhe se “u pajtuam për hapat e radhës për periudhën që po vjen”.

Vuçiq shkroi në Instagram se BE-ja, si ndërmjetës në dialog, do ta ketë “një partner serioz dhe të përgjegjshëm në Serbi, dhe për popullin tonë në Kosovë, ne jemi mbështetës të pakompromis”.

Ai shtoi se bisedoi me Lajçakun edhe “për kushtet pothuajse të pamundura për jetë të popullsisë serbe, të shkaktuara nga trysnia e vazhdueshme dhe arbitrariteti i autoriteteve në Prishtinë”.

Vitin e kaluar, Prishtina dhe Beogradi pranuan Marrëveshjen për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve, që u bë e njohur si Marrëveshja e Ohrit.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, megjithatë, këmbëngul që marrëveshja të nënshkruhet para fillimit të zbatimit, ndërsa Serbia i ka tërhequr tashmë “vijat e kuqe”, duke deklaruar se “nuk do ta pranojë kurrë anëtarësimin e Kosovës në Kombet e Bashkuara”.

Sipas BE-së, marrëveshja është ligjërisht e detyrueshme për të dyja palët edhe pse nuk është nënshkruar.

Kosova, në anën tjetër, ka marrë përsipër që t’i japë komunitetit serb një nivel të caktuar të vetëmenaxhimit, që në praktikë nënkupton formimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe.

Lajçaku ishte për vizitë në Beograd, një ditë pasi qëndroi në Prishtinë, ku u takua me zëvendëskryeministrin e Kosovës, Besnik Bislimi. Me Kurtin, i cili e udhëheq dialogun në nivel politik, nuk u takua, për shkak të, siç u tha, udhëtimit të tij jashtë vendit.

Gjatë vizitës në Kosovë, Lajçak u bëri thirrje të dyja vendeve të bëjnë hapa për të zbatuar Marrëveshjen për normalizim të marrëdhënieve.

Kurti dhe Vuçiq biseduan për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit për herë të fundit më 14 shtator të vitit 2023, por pa ndonjë përparim, për shkak të qëndrimeve kontradiktore.

Lajçak do të duhej të niste mandatin e si ambasador në Zvicër prej 1 shtatorit të këtij viti, mirëpo ai ka thënë se i është kërkuar që të mbajë pozitën që ka deri në fund të janarit të vitit 2025, dhe ka thënë se deri atëherë ka shumë punë për të bërë./REL